"Mushkëria e Vlorës" e mbuluar nga mbeturinat, pylli i Sodës i harruar nga bashkia
Pylli i Sodës, i cilësuar si mushkëria e vetme e qytetit të Vlorës, ka këtë pamje në mes të sezonit turistik.
Mund ta ndiqni qartë, këtu ndodhen mbetje inerte të hedhura, mbetje plastike, shishe qelqi, apo edhe arka të peshkut të bizneseve që operojnë në qytet.
Qindra turistë, vendas dhe të huaj përballen me këto pamje aspak të përshtatshme nëse duan të shkojnë në Zvërnec, ndërsa e kanë të pamundur që të ndalojnë dhe të shijojnë bukurinë e munguar të pyllit.
Ata shprehen të revoltuar me situatën.
"Pse të mos vësh 5 kosha aty rresht, çfarë mungon? Koshat?," thotë qytetarja.
"Mbeturinat duhet t'i pastrojnë ata, pylli është copë-copë gjithandej," thotë qytetari.
Pushuesit, ia hedhin fajin institucioneve që kanë dështuar për të siguruar pastërtinë e Pyllit të Sodës.
"Nuk ka organizim fare nga qeveria për t'i hequr mbeturinat, për ta pajisur me kosha," thotë qytetarja.
"Në brendësi duhet të marrë masa bashkia, të bëjë pastrimin dhe rregullimin. Ka shumë papastërti," thotë qytetari.
Të tjerë përgjegjësinë ndajnë, edhe tek vetja.
"Fajin më të madh e kemi edhe vetë ne si persona sepse hedhim mbeturina atje ku s'duhet," thotë qytetari.
"Pa lënë mënjanë edhe ne si popull, pastaj këto lokalet i hedhin vend e pa vend," thotë qytetarja.
Bashkia e Vlorës e ka premtuar disa herë rehabilitimin e kësaj zone, por tanimë thonë se i gjithë menaxhimi do një fond të madh që është jashtë mundësive financiare të saj.
Në këto kushte, kur bashkia është dorëzuar mbeturinat dhe papastërtitë do t’i shoqërojnë pushuesit edhe këtë vit në Vlorë.
