Hetimi i SPAK nisi për tenderin 35 mln të mishit, e fitoi subjekti 'fantazmë', ja çfarë gjeti AKU

Tenderi për uniformat e policisë së shtetit ka qenë i treti në radhë në hetim  nga SPAK brenda pak muajve.

Sipas dosjes, procedimi i parë penal u regjistrua me 23 qershor 2020 për tenderin e mishit pas kallëzimit të subjektit që u skualifikua nga gara.

Bëhet fjalë për dy procedura të zhvilluara nga Agjencia e Blerjeve të Përqëndruara dhe që kapin vlerën e më shumë se 35 milion lekëve, fitues i të cilave është shpallur kompania "4S" sh.p.k.

Ky subjekt rezulton se ka dorëzuar dokumente fiktive, ku deklaron se janë ushtruar kontrolle nga Drejtoria Rajonale e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit Korçë.

Kjo e fundit e ka mohuar këtë fakt duke u shprehur se nuk e ka inspektuar asnjëherë subjektin "4S" sh.p.k. Madje drejtoria rajonale e AKU Korçë në planet vjetore të saj e ka futur kompaninë në fjalë për inspektim dy herë në vit por kjo nuk është realizuar sepse kompania në fjalë nuk është konstatuar asnjëherë e hapur.

Këtë gjë e ka pranuar dhe vetë administratori i firmës në fjalë i cili ka deklaruar se nuk ka filluar akoma ushtrimin e aktivitetit edhe pse ndërkohë ishte shpallur fitues i dy tenderave të Agjencisë së Blerjeve të Përqëndruara.

Në dosjen e SPAK, thuhet gjithashtu se "4S"sh.p.k nuk ka ushtruar aktivitetin e tij në adresë ku është licensuar për tregtimin e mishit.