Edhe Plarent Ndreca "lan" duart nga tenderi për uniformat: Ndjeva trishtim, s'kam hedhur firmë
Pas arrestimeve nga SPAK të 9 zyrtarëve të lartë të Ministrisë së Brendshme të akuzuar për korrupsion me tenderin e uniformave të policisë, ka reaguar edhe ish-sekretari i Përgjithshëm Plarent Ndreca.
Ndreca është shprehur se ka ndjerë keqardhje për lajmin që u është hequr liria disa funksionarëve, por nga ana ligjore e ka përshëndetur aktin e SPAK.
Ai shtoi se duhet përmbajtje në deklarimet publike dhe mediatike, për të mos krijuar presion tek asnjëra nga palët në proces.
"Ndjeva keqardhje, nuk është lajm që është i pëlqyeshëm, që u hiqet liria disa funksionarëve. Ndjeva trishtim. Sa i përket aspektit ligjor është një akt që duhet përshëndetur. Duhet të jemi të përmbajtur në deklarimet publike dhe mediatike, për të mos krijuar presion tek asnjëra nga palët në proces. Nga pikëpamja kushtetuese ata persona janë ende të pafajshëm”, - tha Plarent Ndreca për “Breaking” në Top News.
Pjesë nga biseda:
Gazetarja: A bëhet tenderi pa firmën e ministrit apo Sekretarit të Përgjithshëm?
Ndreca: Patjetër që bëhet. Agjencia është e pavarur. Është një cikël i mbyllur.
Gazetarja: PD iu përmend edhe ju, edhe ministrin e brendshëm.
Ndreca: PD nuk di t’i lexojë rezultatet e zgjedhjeve. Vazhdon me historitë me karakter krejtësisht politik. Të njëjtën gjë bëri edhe Alibeaj, që fatkeqësisht është edhe jurist. Vazhdojnë me metodën e vjetër. Qytetarët janë të ngopur me këto deklarime.
Më herët ishte ish-ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, ai i cili u shpreh se nuk ka pasur asnjë rol në këtë tender dhe ka shtuar se qysh në shtator të vitit të kaluar kishte kërkuar publikisht të hetohej çështja e këtij tenderi.
