Fshati në Mallakastër pa ujë të pijshëm në mes të verës, ankesat e banorëve në vesh të shurdhër
Dikur kjo çezmë furnizonte me ujë të pijshëm fshatin Drenovë të Mallakastrës, por sot për shkak të hapjes së puseve ky burim është tharë.
Banorët thonë se nuk kanë ujë të pijshëm prej 30 vitesh, ndërsa kanë bërë disa herë kërkesë tek autoritetet, por askush nuk ka ndërhyrë.
Banorët jetojnë me këtë situatë përditë, ndaj detyrohen që ujin e pijshëm ta blejnë.
"Tani po thahet se është thatësirë. Jemi shumë keq."
Një depozitë me ujë kushton 10 mije lekë të vjetra, por banorët thonë se kjo është një kosto e shtuar për ata.
"Ne kemi vetëm pus dhe vetëm me të mbahemi."
"Ku ka ujë?! Kemi bërë pus 120 metra, por nuk ka ujë. Vetëm 15 minuta nxjerr."
Ata tregojnë se janë ankuar disa herë, por zgjidhje nuk kanë gjetur.
"Nuk kemi ujë. Këtu nuk ka bashki se nuk sjell ujë."
Mungesa e ujit dhe e investimeve në fshat, kanë bërë që dhjetëra familje të ikin dhe fshati të shkojë drejt boshatisjes.

