Temperaturat e larta, 60 fëmijë paraqiten në pediatrinë e Elbasanit çdo 24 orë
Rritja e temperaturave ka sjellë edhe virozat e stinës, ndërsa në Pediatrinë e Elbasanit mjekët presin mesatarisht 50 deri në 60 fëmijë brenda 24 orëve.
Bluzat e bardha thonë se temperatura e lartë, dhimbja e barku dhe të vjellat janë simptomat kryesore të shfaqura ditët e fundit tek moshat e vogla.
"Vijnë kryesisht me probleme të traktit gastro intestinal. Vijnë me bark, të vjella dhe temperatura të larta," thotë mjekja.
Irena Palloshi, mjeke pediatre në spitalin e Elbasanit thotë se ekspozimi në diell i fëmijëve është i rrezikshëm.
Ata apelojnë prindërit që të bëjnë kujdes me ekspozimin e fëmijëve në diel gjatë orëve të mesditës.
"Prandaj dhe ne këshillojmë prindërit në këto ditë të nxehta të kenë kujdes me veshjen e fëmijëve, t'i veshin veshje të lehta, të pambukta. Në orët e pikut fëmijët të qëndrojnë në hije ose në shtëpi dhe fëmijët që shkojnë në plazh ose pishina të kenë parasysh kremrat e diellit, kapelat," tha mjekja.
Sipas ekspertëve një tjetër shqetësim janë edhe pijet energjike, që duhet evituar në maksimum tek fëmijët.
"Ushqimet t jenë të freskëta, ët ruhen në vlera optimale. Tani vera ka fruta plot, është shumë mirë që të përgatisin komposto në shtëpi dhe mos të blenë pije, sidomos pijet energjike që janë aq të dëmshme," tha mjekja.
Mjeket kërkojnë gjithashtu që prindërit të heqin dorë nga tendenca për të marrë medikamente dhe barna pa këshillën e mjekut.
