Ramiz Lala vazhdon karrierën si gjyqtar, KPA lë në fuqi vendimin e KPK-së që e konfirmoi në detyrë

Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka lënë në fuqi vendimin e KPK për konfirmimin në detyrë të kryetarit të Gjykatës Administrative të Gjirokastrës, Ramiz Lala, vendim i dhënë me 26 korrik 2019.

Vendimi u ankimua nga Komisioneri Publik, por pas paraqitjes së provave në KPA, Komisioneri i tërhoq nga kërkesa.

Ramiz Lala e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2010 në gjykatën e Përmetit. Ai është emëruar kryetar i Gjykatës Administrative të Gjirokastrës në vitin 2013 dhe vazhdon ta ushtrojë atë prej gati 6 vitesh.

Vendimi i KPK për Lalën u mor pas hetimit të kryer në të tre kriteret e rivlerësimit.

Hetimi i KPK-së u fokusua në një apartament prej 86.6 m2 në Tiranë, një sipërfaqe trualli të ndodhur në Paskuqan të Tiranës si dhe mbi një ndërtesë dy-katëshe të ngritur në këtë truall.

Gjithashtu, pjesë e verifikimeve u bënë edhe të ardhurat në vitet 2003-2006 nga puna si avokat, për të cilat gjyqtarit Lala iu kalua barra e provës dhe ai dorëzoi dokumente shtesë në KPK.