Abuzimi, kush është inxhinierja tekstile që nuk firmosi tabelat për tenderin e uniformave të policisë

Në dosjen e SPAK për uniformat e policisë, që Ora News e ka siguruar, tregohet se me datën 11 korrik 2019 kur është hapur procedura, drejtoresha e prokurimeve publike, Edlira Naqellari, ka urdhëruar zëvendësimin e një prej anëtarëve të njësisë së prokurimit.

Në datën 19 korrik është zëvendësuar anëtarja Nereida Janku me Klevis Hasanin por problemet kanë vijuar pas paraqitjes së ankesave të paraqitura nga operatorët ekonomikë, të cilët kërkonin ndryshimet e dokumenteve të tenderit.

Kjo ka sjellë më pas edhe pezullimin e procedurës dhe rihapjen e saj me specifikime të tjera.

Hapja e garës me 15 tetor të vitit 2029 më ndryshimet e reja ka sjellë edhe shqetësimin e një prej anëtarëve të njësisë së prokurimit Aurora Mulla, inxhiniere tekstile në Drejtorinë e  Përgjithshme e Policisë së Shtetit.

Kjo e fundit nuk ka pranuar të firmosë tenderin nga faqja 16-19, duke ngritur shqetësimin për abuzimin që po bëhej.

Kjo ka ardhur pasi zyrtarë të Ministrisë së Brendshme kanë ndryshuar sasinë e uniformave që do të merrnin por nuk kanë ndryshuar çmimin e tenderit duke e rritur atë nga 488.141 lekë në 621.011 lekë për njësi.

Por sipas SPAK ajo nuk e ka dokumentuar këtë me ndonjë procesverbal konkret përveç mosnënshkrimit të tabelave që përcaktonin fondin limit dhe ndryshimet e specifikimeve.

Modifikimet e kryera sollën pakënaqësinë e tre operatorëve ekonomikë të cilët paraqitën sërish ankesë 9 ditë pas publikimit të procedurës dhe ajo pezullohet sërish.

Në 1 nëntor, autoriteti kontraktor vendos refuzimin e të gjithë ankesave të paraqitura për të vijuar më pas me procedurën që solli pas hekurave 9 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Ministrisë së Brendshme.