Grabitja e miliona eurove në Rinas, Alkond Bengasi flet nga burgu: Po më torturojnë, s'kam lidhje me ngjarjen

Alkond Bengasi, njëri nga njerëzit e arrestuar për ngjarjen e grabitjes së 4.6 milion eurove në aeroportin e Rinasit, ka reaguar nga burgu i Beratit ku mbahet i izoluar, duke pohuar se nuk ka asnjë lidhje me ngjarjen dhe bashkëpunimin që ka pasur me prokurorinë.

Transferimi nga Tirana në burgun e Beratit sipas tij është bërë nga policia me argumentin se i rrezikohet jeta.

Por për televizionin Ora News ai shprehet se nuk shikon asnjë rrezik për jetën e tij.

"Po kjo është çmenduri pra, domethënë ty të rrezikohet jeta. Nuk e di pse ma thonë këtë gjë, se mua nuk më rrezikohet asnjëherë, se unë as kam vrarë as kam prerë. Po kjo është tortura që po më bëjnë. Më thanë o do rrish me neve, të pranosh thëniet që gjoja kam thënë unë dhe të bësh 8 muaj. Ose po dole me programin do dënohesh njëlloj si të tjerë. Po s’është e drejtë kjo, si të pranoj një gjë që se kam bërë. Të më fusësh ti hasëm me njerëzit, që hajde mo të kisha bërë një krim, edhe do ta mendoja, o do bëja burgun o do bashkëpunoja me ju. Unë pa ba asnjë lloj krimi, asnjë lloj gjëje, ju po më thoni o futu hasëm o do bëni burg. Po kjo s’është normale” .

Nga burgu i Beratit, Bengasi rrëfen për Ora News se nuk ka qenë asnjë herë bashkëpunëtor i drejtësisë.

 “Unë nuk kam qënë asnjëherë bashkëpunëtor drejtësie. Kjo është një sajesë e prokurorit. Të tjera gjana kam thënë unë, të tjera gjana janë shkruajt. Më kanë marë më kanë çuar në drejtori. Nga shtëpia deri në drejtori, më kanë ushtruar dhunë fizike dhe më kanë thënë gjerat më të dyra që s’mund ti thotë një punonjësi i institucionit, sidomos i policisë. Si mund të jem unë bashkëpunëtor drejtësie, kur nuk kam pranuar dhe s’kam si të pranoj fajësinë. Si mund të marrësh ti bashkëpuntor drejtësie, kur s’pranon fajësinë e vet. Bashkëpunëtori i drejtësisë duhet të tregojë rolin që ka pasur vetë, pastaj bëhet bashkëpuntor”.

Pyetjes se në çfarë rrethanash është gjetur gjurma e gishtit në furgonin e përdorur në grabitje, Bengasi i përgjigjet.

 “Po derisa është gjetur shenja e gishtit ai furgon ndoshta ka qenë tek puna aty. Si qindra makina të tjera që vijnë dhe që blejnë pjesë. Kur ngarkojnë motorat në makina këta, furgonin aty kur e fusin tek kapanoni, ka raste që hupja unë dhe e fusja mbrapsht se është dhe vendi pak terren i vështirë, se unë e dija fiks dhe ndoshta aty kam lënë ndonjë shenjë gishti. Po unë kaq idiot qe kam se ta dija që ky furgon do bënte një krim, do lija shenjat e gishtave të mi aty. Edhe më e forta është se është gjet gishti i mesit dore e djathtë. Në një vend tjetër thotë, gisht mesit dore e majtë. Unë se kuptoj aty, se si është marrë kjo shenjë gishti. Unë do kërkoj dhe ekspert privat".

Pyetjes nëse gjatë kësaj kohe ai ka biseduar për këtë çështje me të pandehurit e tjerë, Bregasi i përgjigjet:

 “Me të pandehurit, unë Klemendin e kam kushëririn tim dhe për këtë arsye po më mbajnë dhe në burg. Për këtë me kanë arrestuar se jam kushëriri i Klemendit dhe ka bërë lidhjen prokurori.”

Bengasi tregon se ndodhet në vështirësi dhe për shkak të situatës ka lënë një vajzë jetime.

 “Kam lënë një vajzë, e kam lanë 6 muajshe dhe po bëhet vajza 3 vjeçe. Vëllain e kam të sëmurë, prindërit nënë e babë nuk i kam, më kanë vdek. Është torturë, këto gjëra që po më bëjnë”.