Mina anti-tank në oborrin e drejtorit të Sigurimeve Shoqërore në Krujë, "mesazhi" i dytë brenda 10 ditësh

Drejtori i Sigurimeve Shoqërore në Krujë  Alfred Voga ka marrë një mesazh kriminal me  minë anti-tank në derën e banesës ku jeton në fshatin Halil.

Ishte vetë zyrtari që zbuloi pakon  rreth orës 23:23 minuta të mbrëmjes së të dielës.

Fatmirësisht pajisja nuk ka shpërthyer, ndërsa ekspertët e policisë të lajmëruar për ngjarjen shmangën çdo rrezik duke e larguar.

Ky ishte rasti i dytë kur familja e zyrtarit kërcënohet me eksploziv në derë në shtëpisë në harkun e 10 ditëve.

Dyshimet e para të policisë janë se kërcënimet mund të kenë ardhur për shkak të një konflikti pronësie.

Por familjarë të Alfred Vogës jashtë kamerave thonë se ata nuk kanë konflikte me askënd.

Nga ana tjetër nuk përjashtohet as pista e kërcënimit të zyrtarit të sigurimeve të Krujës për shkak të detyrës.

Alfred Voga më herët ka mbajtur edhe detyrën si drejtues i ALUIZNIT në Krujë.

Eksplozivi në derë të banesës ose djegia e makinave janë dy prej formave më të shpeshta të kërcënimit vitet e fundit!

Vetëm përgjatë qershorit në Qarkun e Durrësit janë arrestuar 6 persona që për një çmim që varionte deri në 3000 euro prodhonin mina me telekomandë që më pas përdoren për ngjarje kriminale.