Dhunë e plumba në Shijak, subjekti i OFL-së Astrit Keçi dhe dy vellezër rrahën një 25-vjeçar
Astrit Keçi, 52 vjeç, person me precedentë penalë dhe subject i Operacionit Forca e Ligjit u arrestua në Shijak, pasi bashkë me dy të afërm dhunuan një 25-vjeçar dhe qëlluan në ajër. Shijaksi është një personazh i njohur për drejtësinë, pasi në vitin 2018 u arrestua si person në kërkim i dënuar me 30 vite burg në Itali. Mbetet e paqartë pse ai ishte i lirë.
Një 25-vjeçar u dhunua nga tre persona në Shijak të cilët edhe qëlluan në ajër duke shkaktuar situatë paniku në zonë.
Autorët e dhunës sipas policisë ishin 52-vjeçari, Astrit Keçi, i cili përfundoi në pranga dhe dy vëllezërit Xhulio dhe Kleart Keçi, 20 e 22 vjeç, me lidhje gjaku me njëri-tjetrin.
Astrit Keçi është një personazh mjaft i njohur për drejtësinë shqiptare dhe italiane.
Ai rezulton se është arrestuar në vitin 2018 në një operacion të bujshëm nga Forcat Speciale pasi rezultonte person në kërkim në Itali.
Gjykata e Apelit Milano e ka dënuar atë më në 9 Shkurt 2016 me 30 vjet burgim, për veprën penale “Organizatë kriminale me qëllim trafikimi të lëndëve narkotike”.
Ky dënim është dhënë në mungesë, pasi Keçi kishte mundur të largohej ilegalisht nga Italia më herët.
Më 14 maj 2018, Gjykata e Durrësit vendosi ekstradimin e tij drejt Italisë.
Prej asaj kohe për të nuk kishte më informacion, ndërsa mbetet e paqartë pse ai ishte i lirë në Shijak vetëm 4 vite nga arrestimi.
Astrit Keçi ishte subject edhe i Operacionit Forca e Ligjit që i kishte dërguar shijaksit formular për justifikimin e pasurisë.
Duke u rikthyer tek dhunimi i të riut në Shijak, policia ka shpallur në kërkim vëllezërit Xhulio dhe Kleart Keçi.
Ndërkohë një 25-vjeçar u arrestua dhe vëllai i tij u shpall në kërkim, pasi kundërshtuan me forcë efektivët e policisë gjatë aksionit të shoqërimit të personave që mund të kishin dijeni për dhunën dhe të shtënat në Shijak.
