Apeli: Masa të shpejta për rrugën dytësore të zonës industriale të Tiranës, skema e menaxhimit të sistemit rrugor është e dështuar

Konfindustria, duke marrë shkak nga shqetësimet e bizneseve, me anë të një njoftimi për shtyp kërkon marrjen e masave sa më  të shpejta për përmirësimin e rrugës dytësore të Zonës Industriale të Tiranës në  autostradën Durrës-Tiranë. Në  zonën industriale në fjalë janë  përqendruar më shumë se 70% e njësive industriale të kryeqytetit.

"Rruga në të dy anët e autostradës Tiranë -Durrës është  në gjendje mjaft të dëmtuar, duke krijuar vështirësi të shumta në qarkullimin e mjeteve, dëmtimin e tyre, rritjen e papranueshme të kostove dhe sidomos përbën një rrezik të  lartë edhe për aksidente dhe sigurinë e jetës. Gjithashtu, ngarkesa e lartë e qarkullimit të  mjeteve në zonë përbën një  ngarkesë të ndjeshme edhe për dëmtimin e mjedisit për Tiranën edhe kështu në gjendje të rënduar dhe jashtë çdo standardi ndërkombëtar të lejuar," thuhet në njoftimin për shtyp.

Gjithashtu në njoftim thuhet se skema e sotme e menaxhimit të mirëmbajtjes të  sistemit rrugor është e dështuar. Sipas Konfindustria edhe pse financimet e mirëmbajtjes së  sistemit rrugor i kushtojnë  mjaft shtrenjtë buxhetit të  shtetit dhe taksapaguesve shqiptarë, cilësia e shërbimit është mjaft e ulët.

"Konfindustria, duke marrë  shkak nga shembulli i mësipërm, por edhe nga gjendja e vështirë e infrastrukturës rrugore në  pothuaj të gjitha akset e tjera të  rëndësishme kombëtare vlerëson, se skema e sotme e menaxhimit të mirëmbajtjes të  sistemit rrugor është e dështuar. Këtu përfshihet edhe projekti përkatës i financuar me kredi nga Banka Botërore. Pavarësisht, se financimet e mirëmbajtjes së  sistemit rrugor i kushtojnë  mjaft shtrenjtë buxhetit të  shtetit dhe taksapaguesve shqiptarë, cilësia e shërbimit është mjaft e ulët, me shenja të qarta të shpërdorimit, subjektivizmit dhe korrupsionit," përfundon njoftimi.