Mancini për finalen e madhe: Nuk ndryshojmë stilin tonë, dua titullin e parë dhe më të rëndësishëm

Është një Roberto Mancini i qetë sic e ka karakterizuar gjithmonë në këtë Kampionat Europian, në vigjilje të finales Itali-Angli. Trajneri i të kaltërve përcjell qetësi, siguri dhe optimizëm për skuadrën ku thekson rëndësinë e finales dhe faktit se mund të bëjë histori si trajner në krye tê Italisë.

Mancini insiston në stilin e lojës që ka përdorur deri tani dhe shton se e pret një duel i vështirë përballë lojtarëve tepër të rëndësishëm që ka Anglia.

Mbi tensionin në prag të finales

"Nuk jam i nervozuar, ndoshta do të jem pak më shumë nesër. Sigurisht që është ndryshe nga ndeshja kundër Turqisë. Ajo ishte ndeshja debutuese, por kjo është një finale."

Mbi frymën e "Braveheart"

"Kjo faqe e parë (ajo e gazetës Skoceze The National që e portretizon atë në rolin e William Wallace, ed) është e bukur, por përtej kësaj ne thjesht duhet të luajmë ndeshjen tonë, duke menduar se e bëjmë atë mirë. Është thjesht një ndeshje futbolli , duhet ta jetojmë kështu ".

Mbi kundërshtarët

"Anglia është e fortë, madje edhe nga stoli ata kanë shumë armë, por edhe ne kemi. Sterling është një lojtar që është rritur shumë dhe është shumë i  shpejt, do të duhet të jemi shumë të kujdesshëm. Por ata kanë edhe Kane, kushdo që do të luajë në krahun e djathtë, kanë shpejtësi dhe teknikë të madhe ".

Mbi krahasimin me Bearzot dhe finalen e '82-të luajtur më 11 korrik

"Bearzot dhe unë mbase kemi të njëjtën uniformë ... (qesh,) Shpresoj që data 11 korrik të jetë po aq e rëndësishme për italianët".

Për mënyrën sesi do të zbresin në fushë

"Ne duhet të qëndrojmë të qetë dhe të jemi të përqendruar në lojën tonë. Është ndeshja e fundit, nëse djemtë duan të argëtohen më shumë, ata duhet ta bëjnë atë nesër".

Krahasimi midis Italisë dhe Anglisë

"Ekziston një pasion i madh, ashtu si këtu. Anglia ka qenë gjithmonë pak e pafat në aventurat e saj evropiane dhe botërore, por unë mendoj se do të jetë një ndeshje e shkëlqyer, në një stadium plotë dhe ky është një lajm i mrekullueshëm."

Mbi tifozët italianë në Wembley

"Gjatë ndeshjes do të jetë e vështirë t'i dëgjojmë, shpresojmë t'i dëgjojmë në fund ... Në fushë do të mendojmë për gjëra të tjera, të luajmë dhe ta bëjmë mirë punën tonë".

Mbi Immobile..

"Të gjithë kanë nevojë për përkëdhelje, jo vetëm sulmuesit. Unë jam i kënaqur me të gjithë punën që ai bëri, por edhe me Belottin dhe Raspadori. Nëse nuk do të ishin, nuk do të kishim arritur në finale."

Mbi stilin e lojës me të cilën ai do të luajë ndeshjen

"Ne gjithmonë duam të luajmë siç dimë dhe kemi bërë deri tani,  gjithashtu dëshironim ta bënim atë lojë me Spanjën, por ata ishin më të zotë në mbajtjen e topit. Nuk mund të ndryshojmë tani,  duhet të bëjmë atë që kemi bërê dhe na ka sjellë deri këtu".

Mbi atë që përfaqëson kjo finale për të

"Është një nga momentet më të rëndësishme të karrierës sime. Kam luajtur në një ekip Under 21 të jashtëzakonshëm dhe në një Kombëtare A fantastike, por nuk arritëm të fitonim as Kampionatin Evropian U21 (disfatë në finale kundër Spanjës në 1986, ) apo Kupën e Botës 1990 në shtëpi, edhe pse ne ishim ekipi më i mirë. Shpresoj të jem në gjendje të marr ato kënaqësi që nuk i kam pasur si lojtar, pavarësisht se kam luajtur në ekipe shumë të forta ", përfundoi trajneri Mancini, në konferencën për shtyp përpara finales së EURO 2020.