Southgate luan finalen: Italia fantastike por jemi të detyruar të fitojmë
Gareth Southgate ndihet i karikuar në prag të finales së Euro 2020 ndaj Italisë.
“Tre Luanët” kanë një mundësi të artë për të shkruar emrin në librin e fituesve të Kampionateve Europiane ndaj dhe pritshmëritë janë të mëdha teksa trajneri anglez shprehet tepër optimist.
"Jemi të entuziazmuar që jemi këtu dhe kemi shansin që të luajmë finalen e një Evropiani. Për vendin tonë udhëtimi ynë ka qenë fantastik, por tani jemi në finale dhe finalet luhen me detyrimin për t’u fituar. Jemi të kënaqur që erdhëm deri këtu por nuk mund të mendojmë që ia dolëm. Ambicia dhe bindja jonë është që të hyjmë në fushë për të ngritur trofeun e madh".
Southgate analizon dhe flet me elozhe për Italinë, për atë që ka bërë deri tani ekipi I kaltër nën drejtimin e Mancinit.
“Urime Italisë, është një skuadër që ka mbase rekordet më të mira në Evropë. Janë një grup plot cilësi dhe kanë një trajner të shkëlqyeshëm ndaj do të duhet të jemi të kujdesshëm. Unë i kam ndjekur shumë gjatë fundit dy viteve të fundit dhe e di mirë punën që po bën Roberto Mancini dhe gjithashtu e di zhgënjimin e tyre që nuk arritën të kualifikoheshin në Kupën e Botës 2018. Italia është një vend plot histori në futboll, ekipi i tyre kombëtar ka luajtur dymbëdhjetë gjysmëfinale dhe dhjetë finale të ngjarjeve të mëdha.
Ne kemi ende një rrugë të gjatë për të bërë për t'u konsideruar një ekip I madh si i tyre. Stili i tyre i lojës? Ata kanë një organizim shumë të qartë dhe janë të përgatitur taktikisht mirë, siç janë gjithmonë skuadrat italiane, por ata kanë një stil ndryshe nga skuadrat italiane që kam parë kur isha fëmijë. Jam i bindur që skuadrat më të mira arritën në finalen e Euro 2020, kush luan më mirë do të fitojë ".
Southgate e pranon që ka presion ndaj Anglisë për të marrë një trofe kaq të rëndësishëm për herë të parë teksa karikon skuadrën që do të luajë përpara tifozëve të tyre në “Wembley”.
“Shumë presion duke luajtur në shtëpi në Wembley? Jo, është thjesht një gjë pozitive dhe një privilegj për të luajtur në shtëpi. Ne na pëlqeu që luajtëm në Romë dhe ishte e rëndësishme të dilnim nga Anglia dhe të luanim në një tjetër stadium të mrekullueshëm, por kthimi në Wembley është fantastik. Është një vend i veçantë që gjithashtu kërkon shumë, por në dy ndeshjet e fundit, Wembley na ka dhënë një energji të jashtëzakonshme. Do të ketë edhe tifozë italianë dhe unë jam i lumtur, besoj se do të ketë një atmosferë të jashtëzakonshme", përfundoi trajneri anglez, Gareth Southgate.
