I dënuar në Zvicër për grabitje dhe veprime të turpshme me të mitur, arrestohet në Morinë kosovari

Një 45-vjeçar nga Kosova është arrestuar në Morinë për llogari të drejtësisë në Zvicër.

Skënder Murtezi, banues në Koshare u ndalua në hyrje të pikës së kalimit kufitar Morinë nga  shërbimet e Policisë Kufitare.

Gjatë përpunimit dhe verifikimit të të dhënave në sistem, ky shtetas ka rezultuar person në kërkim ndërkombëtar nga NCB Zvicër, pasi Gjykata rajonale Aura Zvicër e ka dënuar me 2 vite e 9 muaj burg për veprat  penale "Vjedhje, grabitje, rrahje, si dhe veprime të turpshme me të mitur",  parashikuar nga legjislacioni penal i Zvicrës. 

Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimit në DVP Kukës bënë arrestimin provizor të këtij shtetasi, me qëllim ekstradimin e tij drejt Zvicrës, mbështetur në “Konventën Evropiane të Ekstradimit” të vitit 1957.