Aksident i rëndë në Gramsh/Minibusi bie në greminë, një i vdekur dhe 9 të plagosur
Një minibus doli nga rruga dhe përfundoi në greminë në afërsi të fshatit Bregas në Gramsh duke shkaktuar vdekjen e nje 30-vjeçari dhe plagosjen e 9 të tjerëve.6 prej të lënduarve janë transportuar drejt spitalit të Traumës në Tiranë pasi ndodhen në gjendje më të rëndë. Në rrezik për jetën paraqitet edhe drejtuesi i mjetit me iniciale A.Xh.
Një 30-vjeçar nga fshati Terrovë i Skraparit humbi jetën pasi autobusi me të cilin po udhëtonte doli nga rruga dhe përfundoi në greminë.
Bashkë me të drejt fshatit Bregas të Gramshit udhëtonin edhe 15 pasagjerë, 9 nga të cilët përfunduan në spital për shkak të lëndimeve të marra.
Si pasojë e rënies nga lartësia mjeti pësoi dëmtime të mëdha dhe nxjerrja e të lënduarve është bërë me ndërhyrjen e efektivëve të policisë dhe zjarrfikëseve.
Viktima, Ledian Lame, mësohet se ka ndërruar jetë në vendngjarje.
Gjendja shëndetësore e 6 prej të plagosurve paraqitet më e rëndë ndaj pasditen e të shtunës ata u dërguan për mjekim më të specializuar në Spitalin e Traumës në kryeqytet.
Automjeti drejtohej nga shtetasi me iniciale A.XH, banues në Gramsh, i cili po ashtu ndodhet në gjendje të rëndë në spital.
Shkaqet e aksidentit nuk dihen ende, por banorët e njohin drejtuesin e mjetit si person të rregullt dhe të përgjegjshëm.
Në vendngjarje grupi hetimor ka mbledhur prova dhe dëshmi për të zbardhur rrethanat e aksidentit të rëndë.

