Muzikë përtej orarit, procedim dhe gjobë 1 mln lekë për reperin Noizy dhe administratorin e një restoranti

Muzika përtej orarit të lejuar u ka kushtuar procedim penal dhe 1 milion lekë gjobë administratorit të një subjekti dhe pronarit të një subjekti tjetër në Durrës.

Shërbimet e Policisë kanë konstatuar dhe proceduar penalisht për veprën penale "Prishja e qetësisë publike" shtetasit Indrit Deti, 26 vjeç (administrator i një subjekti) dhe Rigels Rajku, 35 vjeç, (pronar i një subjekti), banues në Durrës,  pasi u konstatuan duke vijuar organizimin e aktivitetit me muzikë, në lagjen nr.13 Plazh, Durrës, pas orarit të përcaktuar për mbyllje.

Për këtë të fundit, burime për Ora News bëjnë me dije se bëhet fjalë për reperin Noizy, i cili prej vitesh tashmë i është futur dhe botës së biznesit.

Gjithashtu, për të 2 subjektet është vendosur masa administrative 1.000.000 lekë, për shkelje të orarit të përcaktuar në aktin normativ,  për zhvillimin e aktiviteteve.

Drejtoria Vendore e Policisë Durrës apelon për të gjithë administratorët dhe pronarët e lokaleve që të respektojnë masat anticovid dhe orarin e përcaktuar për ushtrimin e aktivitetit.