Abuzimet në Ministrinë e Brendshme, të arrestuarit në Drejtorinë e Policisë, 2 bashkëpunuan me SPAK
Këto janë momentet kur zyrtarët dhe ish-zyrtarët e Ministrisë së Brendshme janë sjellë mengjesin e kësaj të shtune, në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, pas urdhër-arresteve të lëshuara nga Prokuroria e Posaçme.
Në një aksion blic të nisur në orët e para të ditës nga Policia e Shtetit në pranga kanë rënë të 4 anëtarë të Komisionit të Ofertave dhe katër të Agjencisë së Blerjeve të Përqëndruara në Ministrinë e Brendshme së bashku me ish-drejtoreshën Edlira Naqellari.
Prangosja erdhi pas një hetimi disa mujor nga prokurori Dritan Prençi, hetime që nisën pas kallëzimit të bërë në gusht të vitit 2020 nga opozita parlamentare për abuzime me tenderin e uniformave në Ministrinë e Brendshme në vlerën e 2.8 miliard lekëve.
Një ndihmë krahas kallëzimit mësohet se kanë dhënë për Prokurorinë edhe dy nga personat e hetuar, të cilët kanë pranuar të bashkëpunojnë me SPAK, duke zbardhur dinamikën e abuzimit.
Nisur nga këto fakte si dhe provat e mbledhura nga Prokuroria që verifikojnë shkeljet, prokurori Prençi ka paraqitur të premten në gjykatë kërkesën për masë sigurie për 9 persona.
Arrest me burg është kërkuar për Edlira Naqellarin, Flutura Çekrezin, Ani Omurin, Klevis Hasanin, Kreshnik Bejkaj, Fatmir Demnerin, Mariglen Buzatin, dhe Gëzim Mingajn ndërsa "arrest shtëpie" për shtetesen Anisa Bogdani, e cila mësohet se ka një femijë të mitur.
Gjatë hetimit SPAK bën me dije se janë konstatuar shkelje të rregullave të prokurimit publik nga anëtarët e njësisë së prokurimit, anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, me titullarin e organit qendror blerës, drejtorin e Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara ku si pasojë kanë sjellë avantazhe dhe privilegje të padrejta në kualifikimin e operatorit fitues në këtë procedurë prokurimi.
Por mësohet se hetimi do të vijojë të shtrihet edhe për persona të tjerë të përfshirë ku nuk është përjashtuar edhe titullari i këtij dikasteri në kohën që është bërë abuzimi.

