PD mbledh Kryesinë më 15 korrik, zbulohen detajet e takimit

Të enjten në orën 18:00, Partia Demokratike, do të mbledhë kryesinë për të diskutuar mbi fazën e parë  të analizës  për zgjedhjet e 25 Prillit. Drejtuesit politikë tashmë i kanë dorëzuar raportet e analizës ndërsa anëtarëve të kryesisë pritet t'i shpërndahet një material i përmbledhur në bazë të çdo qarku mbi faktorët që kanë ndikuar në rezultat. 

Kryesia gjithashtu do të njihet me ndryshimet që pritet të bëhen në statut. Ka një seri propozimesh që vijnë nga anëtarë të thjeshtë të partisë apo edhe nga ish kandidat siç është rasti i Fatbardh Kadillit.

Propozimet përqendrohen  kryesisht tek mandate dhe kompetencat e kryetarit por dhe organeve qendrore, si dhe në disa prej tyre kërkohet ligjërimi i franksioneve. Këto propozime para se të shkojnë në kryesi, do t'i nënshtrohen një diskutimi në Komisionin e Përhershëm Statuor i cili do të mblidhet të mërkurën e ardhshme.

Kryesia gjithashtu do të njihet me emrat që Lulzim Basha, do të propozojë për kandidatët për anëtar të Këshillit Kombëtar, ndërsa do të ngrihet  edhe  Komisioni i   Votimit dhe Numërimit për zgjedhjet e anëtarëve të Këshillit Kombëtar në mbledhjen e 17 Korrikut, të Kuvendit Kombëtar.

Kjo është faza e parë e një procesi të thellë ristrukturimi të Partisë Demokratike. Pas kuvendit kombëtarë dhe zgjedhjes se këshillit të ri kombëtarë kjo forcë politike pritet të ristrukturohet nga qendra deri në bazë, duke nisur me nënkryetarët, sekretariatet, e deri edhe në zgjedhje të reja ne kryetarët e degëve seksioneve e grup-seksioneve.