Për fundjavë në Sarandopor, dhjetëra të rinj promovojnë bukuritë e natyrës në Leskovik

Lixhat e Sarandoporit pak minuta larg Leskovikut, janë populluar në fundjavë nga të rinj dhe turistë të shumtë.

Ky monument natyre duket se është një nga zonat me potencial të madh turistik në zonën e Kolonjës që po kthehet në destinacion të preferuar për turistë shqiptarë dhe jo vetëm.

"Kemi ardhur nga Tirana, me një grup të rinjsh së bashku me disa të rinj nga Korça dhe me operatorë turistikë," tha një turiste.

Të rinjtë shprehen të kënaqur nga pamja dhe thonë se do të rikthehen përsëri.

"Është hera e parë pasi aksesi në muajt e dimrit është pak më i vështirë, përveç vlerave që dihen, janë ujëra termale me vlera të veçanta," tha turistja.

"Po kaloj shumë mirë, ambienti është shumë i lezetshëm, ka shumë burime natyrore. Çdo gjë është perfekte."

Për drejtorin e Agjencisë së Zonave të Mbrojtura kjo është një nga zonë me plot vlera turistike dhe kurative.

"Këtu jemi në monumentin e natyrës, me burime termale që ndodhet në brigjet e Vjosës, janë dy burime të mëdha dhe 40 burime të vegjël me vlera kurative," tha Iljon Thanas, drejtor i ADZM

Përfaqësues nga ministria e turizmit pranojnë problematikën e infrastrukturës por thonë se për ndërhyrjet përgjegjës janë drejtuesit e pushtetit lokal.

"Në fakt lidhur me infrastrukturën dhe ne e kemi të njëjtin shqetësim, mendojmë që do të ketë ndërhyrje, për momentin ministria është duke punuar dhe duke marrë masa që të promovojnë pika me rëndësi të tilla turistike. Në vazhdimësi i mbetet vendimmarrësve për të vendosur një gjë të tillë," tha Shpresa Mezini, përfaqësuese e ministrisë së turizmit.

Lixhat e Sarandoporit janë të njohura edhe për faktin se janë vizituar nga vet Lord Bajroni.