Solarët rrezik për kancerin e lëkurës, dermatologia: Po shfaqet edhe te moshat e reja, kujdes ku blini kremrat

Ekspozimi në diell për një kohë të gjatë dhe pa kujdes është ndër arsyet kryesore të shfaqjes së kancerit të lëkurës.

 Kohët e fundit, thotë mjekja dermatologe Migena Vargu, ka pasur raste të shtuara mes të rinjve.

Sipas saj, përdorimi i solareve është një nga shkaktarët e kësaj sëmundje të rrezikshme në moshat e reja.

"Më parë ne nuk e shihnim në këto mosha, por mesa duket edhe ndotja ambientale, përdorimi i solareve që shpeshherë është në modë tani për të qenë të nxirë gjatë gjithë vitit, shohim që në moshat e reja shfaqet edhe melanoma," tha mjekja.

Nishanet në trup shpesh shihen prej qytetarëve si rrezik për shëndetin e tyre, por jo të gjithë janë të tillë.

Ata me pigment dhe me një madhësi  mbi 6 mm duhet të marrin vëmendjen e mjekut.   

"Nishanet e pigmentuara, sidomos nishanet ët cilat kanë madhësi të madhe mbi 6 mm, që kanë tendencë të zmadhohen në madhësinë e tyre, që kanë tendencë të mos jenë simetrikë atëherë duhet të kemi një pikëpyetje të madhe që këtu po ndodh diçka," tha Vargu.

Kremrat mbrojtës janë një zgjidhje e mirë për të shmangur këto shqetësime, por blerja e tyre duhet bërë vetëm në farmaci.

"Ka raste që një krem i palicensuar mund të japë edhe acarime të lëkurës, reaksione alergjike. Ti ke shitës ambulantë dhe rrinë gjithë ditën në diell. Nuk është normale që një krem farmaceutik të rrijë gjithë ditën në diell," tha mjekja.

Çdo shenjë shqetësuese në lëkurë duhet ta drejtoj qytetarin vetëm te mjeku dermatolog, duke shmangur marrjen e ilaçeve pa recetë.