Aventura në Conference League nuk nis siç duhet, Vllaznia humbet 3-1 me Siroki Brijeg
Vllaznia kompromenton aventurën e saj në Europë që në nisje. Skuadra shkodrane pëson një humbje 3-1 në Bosnje, përballë Siroki Brijeg që duhet thënë se nuk ishte një skuadër më e mirë se nënkampionët e Shqipërisë por që në fushë treguan më shumë.
Ndeshja u karakterizua nga duele fizike por duhet pranuar që arbitri rus Matjunin nuk ishte aspak në lartësinë e duhur teksa dha 12 kartona të verdhë e dy te kuq për shkodranët dhe penalltitë ishin të dyshimta dhe mund të vihen në diskutim.
Vendasit e nisën më mirë dhe vrullshën ndeshjen në një stadium pothuajse të mbushur plot teksa portiei Zogoviç shpëtoi disa herë shkodranët nga pësimi i golit por në fund të pjesës së parë nuk kishte çfarë të bënte kur Siroki gjeti golin me penallti me Staniç.
Pas një pjese të parë tepër të luftuar, Vllaznia tenton të bëjë diçka ndryshe ndërsa në 51’ kompromentohet ndeshja pasi sërish Siroki fiton një penallti të cilën Staniç e realizon pa gabuar.
Brdariç bën 3 zëvendësime menjëherë për të gjetur golin që do të rikthente shpresat për Vllazninë por në 77’ në një aksion të shpejtë boshnjakët gjejnë dhe golin e tretë me Lukiç.
Shkodranët marrin një goditje të fortë me këtë gol ndërkohë që aktivizimi në fund i Liridon Latifit ndryshon disi gjërat kur në minutën e 92’, çoba gjen golin për Vllazninë duke e mbyllur sfidën 3-1. Ndoshta ai gol në minutat e fundit i jep disi shpresë skuadrës shkodrane por në “Loro Boriçi” duhet të bëjë një paraqitje ndryshe nga ajo në Bosnje që të arrijë kualifikimin dhe kryesorja, të ketë një arbitrim dinjitoz e në lartesinë e duhur.
