Mourinho “show” në daljen e parë. Shigjeton Conten dhe Man. United

Kishte pritshmëri të madhe për daljen e parë për shtyp të Jose Mourinhos si trajneri i Romës. Prej 3 ditësh i ndodhur në kryqytetin Italian, trajneri portugez foli për herë të parë si një i punësuar në Serinë A, ku u rikthye 11 vite pasi fitoi gjithçka me Interin.

Nuk munguan pyetjet që te arsyet e rikthimit në Itali, përse zgjodhi Romën, objektivat, merkato dhe sigurisht ish skuadra e tij zikaltër ku menjëherë lëshoi “thumba” ndaj Contes.

Faleminderim për tifozët

"Së pari duhet të falënderoj tifozët sepse pritja e tyre për ardhjen time në Romë ishte e jashtëzakonshme Unë menjëherë kisha ndjenjën e të qenit në borxh ndaj tyre. Ishte një pritje emocionale, mbeta shumë i impresionuar. Unë gjithashtu falënderoj besimin e klubit dhe të drejtuesve "

Pse zgjodhët Romën

"Asgjë nuk vjen nga asgjëja dhe asgjë nuk kthehet në asgjë. Jam këtu pranë statujës së Marco Aurelios, por nuk jam për turizëm në Romë. Sigurisht që është një qytet shumë i bukur dhe më pëlqen shumë, por këtu kam ardhur të punoj. Zgjodha Romën, sepse e ndjej veten të afërt me projektin e shoqërisë, por edhe për faktin se e shkuara e klubit është e lavdishme. Natyrisht që unë jam këtu për të ndërtuar të ardhmen dhe bashkë me drejtuesit kemi filozofi të njëjtë, për të hedhur bazat e një suksesi të qëndrueshëm, jo për të bërë diçka të menjëhershme dhe të izoluar.

Presioni mediatik

"Më është dashur të ndryshoj telefonin tim tre herë tashmë. Nuk e di se si, por shtypi gjithmonë e gjen numrin tim ... Duke lënë shakatë mënjanë është fantastike dhe e jashtëzakonshme. Të mungon Italia kur nuk je këtu. Por megjithatë unë jam për të punuar dhe për të mbrojtur interesat e klubit që përfaqësoj, ndaj nuk jam gjithmonë simpatik”.

Si mendoni se mund të ndryshoni mentalitetin e grupit?

Fillimisht duhet njohur i gjithë grupi, për të parë se deri ku mund të shkojmë, Megjithatë kushti im i panegociueshëm është angazhimi maksimal në punë. Që në fillim dua të shoh që djemtë të japin 100% në stërvitje dhe më pas të bëjmë ndërhyrjen e duhura për të ndryshuar mentalitetin dhe për të synuar suksesin.

A është Roma sfida më e rëndësishme? Si e shihni futbollin italian, tani që riktheheni pas më shumë se një dekade?

Sfida e radhës është gjithmonë më e rëndësishme dhe për momentin Roma është sfida ime e radhës. Jam i angazhuar të bëj maksimumin për të rikthyer klubin në nivelet që ia dikton historia. Sa i përket futbollit italian, mund të them se Italia është në finale të Euro 2020-ës dhe ia ka dalë me një skuadër që ka në përbërje futbollistë që luajnë në Serinë A. Nëse skuadrat italiane nuk ecin shumë në Europë, është edhe për faj të trajnerëve.

Si ka ndryshuar Mourinho gjatë këtyre viteve?

Nëse vitet nuk të bëjnë një profesionist më të mirë, do të thotë se gjërat nuk po shkojnë në drejtimin e duhur. Tani jam më i matur, por ADN-ja është e njëjtë. Jam ky që jam në të mirë e në të keqe. Në thelb jam i njëjti person.

Cilat janë objektivat dhe përgjegjësitë  në këtë eksperiencë?

Unë jam viktimë e mënyrës si më shohin njerëzit, për shkak të asaj që kam fituar. Te Manchester United fitova tre tituj dhe ishte gjithçka një zhgënjim. Ajo që për të tjerët është fantastike, për mua quhet zhgënjim. Objektivi fillestar është që të fitojmë ndeshjen e parë zyrtare dhje më pas do kemi objektiv të fitojmë të dytën e kështu me radhë. Skuadra duhet të përmirësohet vazhdimisht dhe për këtë do të punojmë si për qendrën stërvitore, ashtu edhe me futbollistët.

Një koment për Interin, Antonio Conten dhe CR7…

Në futboll ka disa njerëz, me të cilët nuk mund të krahasohesh kurrë. Për shembull te Roma unë nuk mund të krahasohem me Liedholm dhe Capellon, ndërsa te Interi askush nuk mund të krahasohet me mua dhe Herrerën. Sa i përket Ronaldos, ai duhet të jetë i qetë, pasi unë nuk luaj mbrojtës qendre. Jam shumë i vjetër dhe i dobët për ta ndaluar.