Nuk ka më dyshime, Federata Franceze merr vendimin për Deschamps
Presidenti i Federatës Franceze të Futbollit, Noel Le Graet ka zhvilluar më në fund takimin e shumëpritur sqarues me Didier Deschamps. Palët kishin caktuar një takim kokë më kokë për të sqaruar zhgënjimin në aventurën e Francës në Kampionatin Europian dhe rezultati është tym i bardhë.
Kreu i federates, Le Graet ka konfirmuar Didier Deschamps në stolin e Francës dhe tashmë objektivi i përbashkët do të jetë mbrojtja e titullit të Kupës së Botës në Katar në 2022.
Vetë numri 1 i futbollit francez, e konfirmoi në një intervistë që ballafaqimi me trajnerin shkoi mirë dhe se mori përgjigjet e duhura.
“Deschamps do të jetë trajner i Francës në Botërorin e Katarit.. Çështja u zgjidh brenda tre minutash. Vullneti i tij për të vazhduar është shumë i fortë, edhe imi gjithashtu. Nuk kishte debat mes nesh. Ne nuk duhet të hedhim poshtë gjithçka që është bërë dhe arritur përkundrazi, kemi lojtarë të rinj shumë cilësorë. Ne kemi një trajner që ka cilësi të jashtëzakonshme", u shpreh kreu i Federatës, Le Graet i cili mbyll kështu çështjen e trajnerit.
Me konfirmimin e Deschamps në stol, I vihet kapak edhe zërave për një afrim të Zinedine Zidane në krye të Francës. Vetë ish trajneri i Realit e ka pranuar ëndrrën për të drejtuar kombëtaren e tij që gjithsesi i duhet të presë ndoshta pas vitit 2022.
