Lojërat Olimpike mund të zhvillohen pa tifozë, Tokio në gjendje të jashtëzakonshme
Qeveria japoneze pritet të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme në Tokio, deri më 22 gusht, pas një vale të re të infeksioneve të koronavirusit, periudhë që përkon me Lojërat Olimpike.
Lojërat Olimpike do të zhvillohen nga data 23 korrik deri në 8 gusht.
Ministri i Ekonomisë Yasutoshi Nasimura tha se gjendja e jashtëzakonshme do të vendoset nga 12 korriku, raporton CNN.
Në mars, organizatorët kishin vendosur të ndalonin ardhjen e spektatorëve të huaj në Japoni për Lojërat Olimpike, një fakt që nuk ka ndodhur kurrë më parë në historinë e Lojërave.
Në qershor, autoritetet njoftuan se prania e spektatorëve vendas do të lejohej, me mbushjen e 50% të kapaciteteve të mjediseve.
Ata kanë paralajmëruar se opsioni për të mbajtur Lojërat me dyer të mbyllura mbetet ende në tryezë, pasi situata shëndetësore në Japoni po përkeqësohet përsëri.
Vendimi për pjesëmarrjen ose jo të publikut dhe rregullat do të merret në ditët në vijim.
Megjithatë, mungesa e tifozëve pritet të rrisë kostot për organizatorët, sepse nuk do të gjenerohen të ardhura nga biletat, ndërsa shpenzimet janë tepër të larta.

