Anglia për herë të parë në finalen e një Europiani, fiton dhe vuan me Danimarkën

Anglia do të jetë skuadra e dytë finalist e Kampionatit Europian. “Tre Luanët”, vuajnë dhe arrijnë me vështirësi të kualifikohen për duelin e madh ndaj Italisë, pas 120 minutave lojë ndaj Danimarkës dhe pas disa vendimeve që do shkaktojnë polemika.

Një ndeshje spektakolare u luajt në “Wembley” pothuajse me 60 mijë tifozë ky shumica ishin anglezët të cilët pane ekipin e tyre të krijonte shumë raste në pjesën e parë. Që në minutën e 6’, Sterling mori një top nga Kane por sulmuesi nuk ia del ta devijojë teksa danezët mund të surprizojnë në kundërsulme ndërsa Dolberg dhe Damsgaard janë tepër të rrezikshëm. Është ky i fundit pikërisht ai që bën të heshtë “Wembley” dhe i shënon golin e parë në këtë Europian Anglisë në minutën e 30’ me një supergol nga goditje dënimi.

Kaq mjafton që Anglia të reagojë shpejt dhe në pak minuta mund ta kishte përmbysur rezultatin teksa fillimisht Sterling në 38 gabon me portën bosh ndërsa dy minuta më pas barazoi ndeshjen Kjaer me një autogol kur topi po shkonte sërish në këmbët e Sterling.

Edhe pjesa e dytë është shumë e luftuar, me ekipin danez që e nis më mirë më disa tentative që shkojnë bosh ndërsa Anglia rimerr situatën në dorë në minutat e tjera. Në minutën e 55’, Maguire ishte shumë pranë avantazhit kur gjuajtja me kokë për pak shkon në rrjetë por Schmeichel e devijon topin.

Rastet për gol nuk mungojnë por nuk janë aq të rrezikshme ndërsa dy trajnerët nisin e bëjnë zëvendësimet por në 80, një gjujtjee Phillips për pak sa nuk shkon në rrjetë.

Gjithsesi skuadrat në fund tërhiqen dhe mbrohen duke e çuar edhe këtë gjysmëfinale në shtesa të cilat vetëm sa zgjatën agoninë e tifozëve. Të dyja skuadrat po tregonin shumë kujdes dhe në minutën e 102’ vjen edhe episodi që duket se do hapë diskutime të mëdha. Raheem Sterling mes dy lojtarëve në zone rrëzohet dhe arbitri e më pas VAR konfirmon penalltinë edhe pse pamjet janë shumë të dyshimta.

Harry Kane nga pika e bardhë, gjuan por Schmeichel e pret dhe topi që kthehet shkon sërish në këmbët e sulmuesit që për here të dytë nuk gabon.

2-1 kryeson Anglia dhe më pas nuk ndodh asgjë interesante për rezultatin që mbetet i pandryshuar dhe në finale çon “Tre Luanët”.

Kështu për here të parë në histori, Anglia do të luajë në një finale të Europianit ku më 11 Korrik do të përballet me Italinë po në Wembley.