Kane kërkon edhe një sakrificë të fundit. Southgate: Më tremb forma e Italisë

Pas 55 vjetësh Anglia preku finalen e një Europiani për herë të parë në histori. "Tre Luanët" e drejtuar nga Southgate dhe të udhëhequr nga Harry Kanë mposhtën Danimarkën dhe tani kanë edhe një pengesë të fundit drejt trofeut, Italinë. Në fjalën e tij las fitores, trajneri anglez vleresoi shpirtin e skuadrës të treguar nga ekipi teksa nuk bëri koment për penalltinë.

"Jam shumë krenar për lojtarët. Ishte një rast i jashtëzakonshëm për të qenë pjesë e historisë. Tifozët ishin të pabesueshëm gjatë gjithë mbrëmjes. E ndjeva se do të shkonim në finale, por e dija se do të kishim një betejë tjetër. Danimarka na shkaktoi shumë telashe. Penalltia e Kane? Sinqerisht nuk e ripashë në dhomat e zhveshjes, por di të them se Sterling krijoi shumë panik në mbrojtjen e Danimarkës. Dhe mua kaq më mjafton. Nga trofeu na ndan vetëm Italia? Janë një skuadër e frikshme, por ajo që më tremb më shumë te lojtarët e Mançinit është forma e tyre fantastike fizike dhe psikologjike”.

Ndërkohë Harry Kane u shpreh tepër i lumtur që ndihmoi skuadrën të shkonte në finale dhe nuk mungoi as shpjegimi prej tij i penalltisë së gjuajtur.

"Është diçka e pabesueshme, çfarë ndeshjeje! Komplimente Danimarkës. Kërkuam fitoren deri në fund dhe arritëm të shënonim në momentin e duhur. Reaguam shumë mirë. E tani jemi në finale në shtëpi, çfarë ndjesie.
Të them të vërtetën nuk është penalltia më e mirë që kam goditur. Ndonjëherë e humbet dhe topi të afrohet sërish dhe për fat të mirë ndodhi që u kthye dhe shënova. Na pret një ndeshje e ndërlikuar ndaj Italisë. Kemi zhvilluar një turne të madh deri tani dhe na pret edhe një ndeshje për të rikthyer trofeun në shtëpi dhe po e presim me padurim”, përfundoi bomberi anglez.