Mbetet në burg ish-kryebashkiaku i Lushnjes, juristja e Bashkisë shpërthen në lot, biznesmeni: Jam me tumor
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur të lërë në burg ish-kryebashkiakun e Lushnjes, duke i refuzuar argumentet se nuk ka pasur shkelje të detyrës. Në seancën që zgjati 8 orë, juristja e Bashkisë ka shpërthyer në lot, duke deklaruar se nuk ka të bëjë me çështjen. Ndërsa një nga biznesmenët ka deklaruar se është me tumor. Në qeli deri në mbylljen e hetimeve do të qëndrojë 7 të akuzuar dhe katër në arrest shtëpie.
Ish-kryebashkiaku i Lushnjes, Fatos Tushe, do të qëndrojë në burg deri në përfundimin e hetimeve me akuzën e shpërdorimit të dtyrës.
Pas një seance të nisur prej orës 10 të paradites e të përfunduar në orën 18:00 të mbrëmjes, gjyqtarja Daniela Shirka pasi ka dëgjuar palët ka vendosur të lërë në fuqi masat e arrestit.
Në qeli do të qëndrojnë dhe drejtori i Ndërmarrjes së Pasurisë Publike Flamur Peqini, biznesmenët Ibrahim Lami dhe Bujar Murati.
Po ashtu dhe drejtoresha Juridike e Bashkisë, Blerta Turku, punonjësit bektash Nexhani dhe Gazmend Çela do të qëndrojnë në qeli.
Për katër të tjerët, Xhemal Hasko, Margarita Gjermëni, Andri Musho dhe Ani Simoni, masa e arrestit do të jetë ajo e arrestit në shtëpi.
Gjatë seancës avokati i kryebashkiakut, Saimir Visha, ka kërkuar më shumë të dhëna për akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Sipas tij, materialet në kërkesën e akuzës nuk flasin për një akuzë të tillë. Madje ai ka shtuar se masa e arrestit është e tepërt dhe se klienti nuk ka as rrezik të ndikojë në prova, por dhe as të largohet nga vendi.
Në qeli do të jetë dhe 25-vjeçarja Blerta Turku, juriste e Bashkisë. Kjo e fundit para togave të zeza e përlotur është shprehur se nuk ka lidhje me akuza të tilla edhe për faktin se është në moshë të re.
Por argumenti ka qenë i pavleshëm ndaj dhe masa nuk është ndryshuar.
Administratori i kompanisë Euroalb që ka fituar tenderin e pastrimit të kanalit në Bishqethëm e ka konsideruar akuzën të pavlefshme.
Ai thekson se e ka fituar tenderin sipas rregullave dhe ka nënkontraktuar kompaninë loti. Po ashtu ai ka paraqitur dhe një raport mjekësor ku rezulton të jetë me tumor.
Por këto qëndrime nuk janë marrë parasysh. Hetimet në bashkinë Lushnje nisën në korrik të vitit të shkuar.
SPAK akuzon se në tender u falsifikuan dokumentet ku përfituesi nuk ishte kompania që u shpall fituese.
Arrest në burg
-Fatos Tushe, me detyrë Kryetar i Bashkisë Lushnjë
-Flamur Peqini, me detyrë Drejtor i Ndërmarrjes së Pasurisë Publike
-Ibrahim Lami, administrator i kompanisë Loti shpk,
-Bujar Murati, administrator i kompanisë Euro Alb shpk
-Gazmend Çela, zyrtar i Ndërmarrjes së Pasurisë
-Bektash Nexha, zyrtar i Ndërmarrjes së Pasurisë Publike
-Blerta Turku, zyrtare e Ndërmarrjes së Pasurisë Publike
Arrest në shtëpi
-Xhemal Hasko, zyrtar i Ndërmarrjes së Pasurisë Publike
-Margarita Gjermëni, zyrtare e Ndërmarrjes së Pasurisë Publike
-Andri Musho, zyrtar i Ndërmarrjes së Pasurisë Publike
-Ani Simoni, zyrtare e Ndërmarrjes së Pasurisë Publike

