“Delta”/ Alimehmeti: Ka simptoma të lehta, testi që bëhet 72 orë para mund të mos e kapi fare variantin
I ftuar në edicionin e lajmeve të Ora News, epidemiologu Ilir Alimehmeti, ka komentuar situatën epidemiologjike në vendin tonë, si dhe variantin indian ‘Delta’, i cili tashmë është përhapur edhe në vendet fqinje.
Ai është shprehur se varianti Delta ka një transmetueshmëri më të lartë se varianti britanik, por megjithatë sipas tij, personat që kanë kaluar Covid-19, nuk preket nga varianti indian.
Mjeku, bën me dije se varianti “Delta” ka simptoma më të lehta, dhe është ngatërruese edhe me viroza të tjera
"Nuk e kemi sepse nuk e kemi gjetur. Ne dimë që është i përhapur gjerësisht në Europë, ne e dimë që të gjithë shtetet rreth e rrotull nesh e kanë, gjithashtu dimë se ne nuk është se kemi barriera për të hyrë njerëzit, pra si rrjedhojë i kemi të gjitha kushtet që ai të jetë mes nesh por ne nuk mund ta gjejmë dot.
Shqetësimi vjen kur rastet fillojnë e rriten, ai është momenti kur ne duhet të shkojmë me më shumë rëndësi sekuencimi në atë moment. Kurse përsa i përket rrezikshmërisë, raporti I CDC, hedh dritë në shumë çështje, e para është shumë më i transmetueshëm, është 40% më i transmetueshëm se varianti britanik Alpha, nga krahu tjetër del se personat që e kanë kaluar më parë Sars-Cov-2 nuk kanë rrisk për infektimin nga Delta. Për sa i përket vaksinimit, kishte një ndryshim, duhet të merren të dy dozat, duhet vaksinimi i plotë.
Virusi Delta ka simptoma më të lehta, dhe ngatërruese edhe me viroza të tjera, më rrallë temperature dhe kollë, dhe humbja e shijes dhe nuhatjes nuk është te simptomat e para. Virusi është më pak i transmetueshëm dhe duket se bën më pak dëm tek personat e imunizuar. Tani në korrik të këtij viti një % tejet e madhe e shqiptarëve e ka kaluar, nuk e dimë se sa është ajo, por shumica e ka kaluar. Po të shihni sot hartën e incidencës së Sars- Cov-2 në Europë, do shihni se Shqipëria, ka incidencën më të ulët në BE. Kjo është e lidhur për faktin se shumë prej nesh e kanë kaluar dhe shumica janë vaksinuar.
Virusi mund të vazhdojë të evoluojë, mund të vazhdojë të japë variante të tjera, megjithatë ka bërë goxha rrugë, te ajo liria që ka për të prodhuar variante. Nuk ka më shumë hapësirë siç kishte një vit më para, prandaj nuk është se presim shumë variante të tjera. Efekti i vaksinave është shumë i lartë për shtrimin në spital, qartësisht për variantin Delta, efektiviteti për të evituar hospitalizimin është 92% me Astra Zeneca dhe 96 me Pfizer. Në vjeshtë pritet rritja e rasteve por një valë që nuk do ngjasoj kurrsesi, valës së vitit të kaluar gjatë vjeshtës dhe dimrit. Po shkojmë drejt asaj që do kemi rritje të rasteve por që do kemi raste por që shumë prej tyre do të përkthehen në një virozë të lehtë."
Përsa i përket testimit, ai thotë se testi që mund të bëhet para 72 orësh mund të mos e dallojë nëse një person është i prekur apo jo me variantin delta.
"Problemi më i madh i këtij diskutimi është se as testi as vaksinimi nuk është i sigurt. E para ne shohim situatën epideomilogjike të shtetit nga ku vjen, kjo do të ishte logjika mjekësore. I dyti problem i kësaj pasaporte është se vihet në barazi, vaksinimi me testin negativ, këto janë kurrsesi të pabarazueshme. Testi është një hiçmosgjë, ka teste false, bëhen gabime, ka falsifikimi, dhe variant Delta ka një kohë e një kubimi më të shkurtër, ajo kryerja e testit 72 orë më para mund të mos e kapi fare variantin Delta."
Intervistoi Soklajda Shorja, përgatiti për online Anila Kolgjini

