KPK e konfirmoi në detyrë, ONM kërkon ankimin e vendimit për gjyqtarin e Tiranës, Gerd Hoxha
Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit kërkon ankimin e vendimit të KPK-së për gjyqtarin pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, Gerd Hoxha, të cilin e konfirmoi në detyrë me 3 qershor.
Rekomandimin për të ankimuar vendimin në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit ONM ua ka paraqitur sot (8 korrik)Komisionerëve Publikë.
Komisionerët Publikë janë duke shqyrtuar, në të njëjtën kohë, vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe rekomandimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.
Bazuar në pikën 1, të nenit 63, të ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, Komisionerët Publikë, brenda 15 ditëve nga data e njoftimit të vendimit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, kanë të drejtë të paraqesin ankim pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.
Rekomandimi i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit është publikuar në faqen zyrtare të Institucionit të Komisionerëve Publikë: http://ikp.al/rekomandime/

