Arrestimi i kryebashkiakut Tushe, ironia e Strazimirit: Nëse SPAK do rezultate, të marrë seriozisht facebookun e Sali Berishës


Një tender 24 milionë lekë për një kanal ujitës çoi pas hekurave kryetarin e bashkisë së Lushnjes, Fatos Tushe.

Ish-deputeti i PD-së, Gent Strazimiri, në një intervistë për Rtv Ora me gazetaren Beti Njuma e sheh më shumë një shfaqje me regji qëndrore sesa luftë reale kundër korrupsionit.

Strazimiri: Të thuash sot shkelje e pabarazisë në tendera, arrestohet një kryetar bashkie kjo vetëm lidhje me korrupsionin nuk duhet të ketë, duket diçka që ka një regji qendrore. Nuk them se nuk është dënueshme.

Ish-kryeministri Sali Berisha Berisha e ka denoncuar Tushen që në 2019.

Strazimiri me ironi thotë se deri më sot në 'rrjetën' e SPAK kanë rënë të gjithë ata që ka denoncuar Berisha, ndaj edhe ka një këshillë për Prokurorinë e Posaçme.

Strazimiri: E ka denoncuar në mënyrë të përsëritur. Deri tani e vetmja statistikë që nxjerr nga SPAK është që ata që kanë rënë në 'rrjetën' e SPAK janë që të gjithë të denoncuar nga Sali Berisha në bashkëpunim me qytetarin e tij të famshëm dixhital. Më rezulton se më shumë po e lufton dhe po e dëmton korrupsionin në Shqipëri apo krimin e organizuar Sali Berisha me facebookun e tij sesa SPAK me gjithë strukturën kombëtare dhe ndërkombëtare që ka në dispozicion. SPAK nëse do të ketë rezultate duhet ta marrë shumë seriozisht facebookun e Sali Berishës me të gjitha denoncimet që ka bërë në vite sepse mbetet maja e diamantit në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri me kurajo, me emra, me data dhe informacionin e ka në mënyrë absolute që nuk i bie në tokë asnjë fjalë.

Opozita ka bërë një seri denoncimesh për afera edhe më të rënda për kryebashkiakë të tjerë, përfshirë atë të Tiranës, Erion Veliaj.

Strazimiri: 90% e tenderave bëhen pa garë, me neogociim.10% që mbetet është brenda fondit limit, dihet fituesi që në fillim. Që në këtë vend ka 8 vjet që nuk ka garë për të marrë fondet publike është e ditur. Tu thuash njerëzve që kanali në Lushnje, ky është peshku i madh, Fatos Tushe…E morëm vesh që Fatos Tushe nuk është mbi ligjin, të gjithë të tjerët janë. Paratë e këtij shteti nuk harxhohen në bashkinë e Lushnjes dhe as në kanalin e Karbunares. Harxhohen në hipoteka, te ALUIZNI, kudo ku ka një sportel, atje ku bëhen tendera me miliarda dollarë. Është publikisht e ditur kjo punë, e mbrojtur nga kryeministri dhe nga secili prej ministrave edhe kur janë kapur në flagrancë. Janë të gjithë dosjet e dorëzuara në SPAK. Të thuash që filloi lufta kundër korrupsionit nga Karbunara e Lushnjes është pak të tallesh me këtë popull dhe opinion publik.

Arrestimet në Lushnje nxorën në pah faktin se paratë publike përfundojnë te një grusht njerëzish.

Kompania që ka falsifikuar dokumentet rezulton e preferuara e shumë bashkive në vend.

Për 8 vite ajo ka marrë 13 miliardë lekë nga fondet e të ashtuquajturës Rilindja Urbane.

Strazimiri: Është botërisht e ditur. Janë të gjithë njerëzit më të afërt e Edi Ramës, kryebashkiakë apo deputetë që kanë firma ndërtimi, apo ish-firma dhe kompani të deputetëve që formalisht nuk janë më pjesë e tyre që marrin, e kanë ndarë me llokma të gjithë pjesën e fondeve publike që tenderohet për shërbime publike. 65% e tenderave bëhen pa negociim dhe shkojnë te këta persona.Të bësh Fatos Tushen kampion të kësaj gjëje, gjëja e parë do të thonë kush është ky?

Ndërkohë distancimin e menjëhershëm të kryeminsitrit Rama nga Fatos Tushe ai e komenton kështu.

Strazimiri: Si për të gjithë të tjerët. Pasi i ka mbrojtur e stërmbrojtur, u ka pranuar dorëheqjen, thotë po ju kapën me mua nuk keni punë, nuk ju njoh. Këtë tha edhe këtë radhë. Kostumi që nuk i shkon kësaj qeverie dhe këtij Kryeministri është që nuk e mbron korrupsionin.

Lushnja bëhet Bashkia e 6 që ka probleme dhe nuk do të drejtohet nga socialistët e zgjedhur pas votimeve të njëanshme të 30 qershorit.

Për Strazimirin ky është një skandal i madh.

Strazimiri: Janë 5-6 të tjera të denoncuara. Më shumë se 15% e bashkive të Shqipërisë që shumë shpejt do të jenë vakante. Ky është një skandal i jashtëzakonshëm për këtë shoqëri dhe qeveri. Firo më të madhe politike dhe institucionale se në rastin e zgjedhjeve të njëanshme të 2019 dhe rezultatit që sollën nuk gjen në asnjë vend të botës.