Dinamo rikthen Enis Gavazajn në Kategorinë Superiore

Enis Gavazaj rikthehet në Kategorinë Superiore, në proven e tij të tretë. Mesfushori Kosovar që sezonin e kaluar luajti te Prishtina ku nuk mundi të shkëlqente, do të luajë në sezonin e ri me Dinamon e rikthyer mes më të mirëve në futbollin shqiptar.

26-vjeçari ka shkëlqyer më parë në radhët e Skënderbeut ndërsa te Kukësi nuk eci siç pritej ndërsa tani do të ketë shansin të rikonfirmohet në futbollin shqiptar me Dinamon e drejtuar nga Shkëmbi.

“Enis Gavazaj, një tjetër afrim për Dinamon.

Blutë kanë nënshkruar sot marrëveshjen me mesfushorin anësor, 26-vjeçarin Enis Gavazaj.

Djaloshi nga Prizreni, pas eksperiencave brenda dhe jasht vendit, rikthehet edhe njëherë në Shqipëri për të veshur fanellën e 18 herë kampionëve, duke premtuar se do të japë më të mirën për skuadrën!

#MirësevjenEnis #Dinamo #WeAreBack”.

 

Ky operacion konfirmon edhe njëherë ambiciet e Dinamos për sezonin e ri për të qenë një skuadër kompetitive ku mbijetesa nuk duhet të llogaritet më ndërsa po sot edhe një tjetër lojtar, tashmë pjesë e ekipit aktual, Endri Reçi rinovoi edhe për një sezon me ekipin.