Panajot Proj: Teuta e meritoi titullin, kam patur kontakte nga Australia

Teuta U18 në basketboll për meshkuj arriti një sukses sinjifikativ duke sjell titullin kampion në Durrës, pas suksesit në finale me Dinamon.

Kapiteni Panajot Proj, foli për këtë sukses të jashtëzakonshëm, si dhe shpalosi objektivat e tij për të ardhmen dhe njëkohësisht zbuloi idhujt: nga ish-kapiteni i Tiranës, Erkand Karaj te ylli i Golden State, Stephen Curry, shembujt për Projn janë të ndryshëm.

Sezoni kulmoi me fitoren e titullit kampion, ndërsa meritat shpërndahen edhe me shokët e skuadrës. Kur flitet për të ardhmen talenti i durrsakëve tregon se shkëlqimi i tij nuk ka kaluar pa vëmendje ndërsa ka ngjallur interes deri në Australi, por për shkak të një mos marrëveshje nuk u arrit konkretizimi.

“Trofeu është kënaqësi e madhe pasi arritëm t’ia dalim nga beteja e parë te e fundit. Kemi pasur përballje dhe lëkundje në stërvitje dhe ndeshje. Por të gjithë bashkë ia dolëm deri në fund. Një ditë para gjysmëfinales kam thyer hundën dhe duke parë të arsyeshme se duhet të luaja me patjetër, kam sakrifikuar. Ne jemi një grup shumë i mirë dhe jemi edukuar me sport që të vegjël në mënyrën e duhur falë trajnerit Besim Dervishaj. Ishte inspirimi ynë që ne jemi këtu sot dhe falë atij ne dolëm kampion.

Një nga figurat e basketbollit dhe ikonë që unë pëlqej është Erkand Karaj, ish kapiteni i Tiranës, që më ka motivuar. Në NBA? Është ylli Stephen Curry. E ardhmja? Dua të qëndroj te Teuta në këto momente. Ëndërra e çdo lojtari është që të luaj në nivele të larta dhe jashtë Shqipërisë. Kam pasur kontakte nga Australia, por për shkakun e një mos marrëveshje nuk arrita që të shkoj”, tha Proj.