Pastrim në PD? Drejtuesit dorëzojnë dosjet me votat e humbura në 25 prill

Këtë javë të gjithë figurat kryesore të Partisë Demokratike që në zgjedhjet e përgjithshme ishin drejtues të qarqeve duhet të dorëzojnë analizën për humbjen e betejës së 25 prillit. Kjo është faza e parë e procesit të reformimit ku u fut partia më e madhe e opozitës menjëherë pas rikonfirmimit të Lulzim Bashës si drejtues i saj, ndërsa në mes të muajt korrik me Kuvendin Kombëtar nis dhe ristrukturimi.

Drejtuesit politik që udhëhoqen Partinë Demokratike në betejën elektorale të 25 prillit, brenda kësaj jave  duhet të dorëzojnë analizën për rezultatin.

Ky proces vjen në vazhdën e ristrukturimit të kësaj force politike, vendime që u ndërmorën menjëherë pas rikonfimimit të Lulzim Bashës, si kryetar.

"Ka për të qenë një material i plotë dhe voluminoz që do ti nënshtrohet gjykimit të Kryesisë, gjykim i cili do të ketë në fokus të vetin evidentimin e problematikave një pjesë e të cilave tashmë janë të njohura dhe një pjesë janë ende drejt evidentimit të plotë të cilat i kanë pamundësuar PD në zona të caktuara të marrë një rezultat të caktuar por që kanë për të shërbyer gjithashtu si bazë e pjesës së dytë të procesit të analizës që do të zgjatet përgjatë muajit gusht dhe do të finalizohet në muajin shtator, proces i cili do të vlerësojë edhe nevojën e ndërhyrjeve strukturore."

Ivi Kaso, thotë se edhe si kandidat për deputet por edhe si sekretar për Çështjet Zgjedhore, ka konstatuar probleme që sipas tij e kthyen 25 prillin në “masakër” .

"Kam qenë dëshmitar i parë i presionit mbi zgjedhësit i cili bëhet në mënyra të ndryshme duke patur të gjithë makinerinë shtetërore kjo mazhorancë në funksion të arritjes me çdo kusht të një rezultati elektoral dhe kam qenë dëshmitar gjithashtu i dorës së parë të gjithë atyre që ne i kemi konsideruar masakër zgjedhore dhe krime elektorale. Gjithashtu kam vërejtur dhe problematika të ndryshme të funksionimit ose mosfunksionimit të zinxhirit elektoral në zona të caktuara."

Analiza e Partisë  Demokratike, është bazuar në faktorët e brendshëm dhe në faktorët e jashtëm që ndikuan në rezultat.

Deri të henën një pjesë e drejtuesve të qarqeve e kanë përmbyllur analizën ndërsa tek faktorët e jashtëm është  listuar kryesisht fenomeni i  blerjes se votës, përdorimi i burimeve shtetërore duke nisur nga fondi i rindërtimit në Tiranë e Durrës, tek legalizimet, punësimet në periudhe zgjedhore, presioni mbi administratën por edhe roli i bandave.

Këta faktorë cilësohen si kryesorët për  humbjen, por demokratët mjaft probleme shohin edhe brenda tyre. 

Mungesa e bashkive dhe bojkoti i zgjedhjeve lokale, roli i aleatëve në kushtet e sistemit të ri zgjedhor dhe mënyra se si funksonojnë strukturat në disa qarqe,  listohen si probleme jo të vogla. 

Krahas analizës, Partia Demokratike po punon për ndryshimet statutore si dhe po përgatitet për mbajtjen e Kuvendit Kombëtar në 17 korrik, kur do të mësohet se me cilin ekip do të udhëheqë Basha opozitën në këtë mandat të tretë.