Lame në Pogradec: Prishja e ndërtimeve pa leje do vazhdojë nga Vermoshi në Konispol

Artan Lame ndodhej ditën e sotme, 2 korrik në Pogradec, nga ku tha se ka nisur legalizimi i pallateve të braktisura.

Në lidhje me hartën e ndërtimeve pa leje që do prishen, Lame thotë se është i gjithë territori nga Vermoshi deri në  Konispol.

Ai  bën thirrje të ndalen ndërtimet pa lejë dhe mos vazhdojnë punimet.

"Është një aksion i përbashkët i policisë së shtetit, IKMT dhe i kadastrës, është i gjithë territori i Republikës nga Vermoshi deri në Konispol.

Fakti që ka vijuar nga grykëderdhja e Bunës e deri në Ksamil, tregon se si proces do të vazhdojë. Është vepruar me zonën bregdetare si fillim, pasi presioni i ndërtimit ka qenë më i madh, por  për fat të keq ndërtime të tilla ka edhe në zona turistike liqenore siç është Pogradeci, në Theth, zona pyjore, parqe.

As nuk dua të tremb njeri më shumë se ç'duhet, as nuk dua që njerëzit që e dinë deri ku e kanë bërë dëmin të flenë të qetë, por dua të them është se ata duhet të ndalen, stop mos vazhdoni të bëni ndërtime. Kemi parë skena në TV të dhimbshme duke i rënë kokës me grushte para kamerave kur të vjen fadroma tek dera," tha Lame.