Pezullohet ndërtimi i Teatrit të ri, Musai: U shkel Kushtetuta, tani radhën e ka SPAK

Arkitektja Doriana Musai, njëherësh aktiviste  e Aleancës për mbrojtjen e Teatrit në një lidhje të drejtpërdrejtë me Ora News, foli lidhur me vendimin e sotëm të Gjykatës Kushtetuese.

GJK vendosi të pezullojë punimet për godinën e Teatrit të ri.

Lidhur me këtë vendim Musai u shpreh se Gjykata sot vërtetoi që protestat në mbrojte të Teatrit kanë qenë të drejta dhe në mbrojtje të Kushtetutës.

Musai: "Gjykata Kushtetuese vendosi që ne kishim të drejtë. Sot fituan qytetarët dhe fitoi kauza e Teatrit. Gjykata i dha të drejtë qytetarëve të cilët edhe para se të miratohej Ligji Special paralajmëruan shkeljen e Kushtetutës, shkeljen e Konventave, protestuan për këtë deri në momentin kur pushteti shkeli çdolloj ligji dhe të drejte. Ne mbrojtëm Kushtetutën dhe Gjykata sot e vërtetoi."

Përsa i përket Ligjit Special Musai tha se ky ligj në vetvete, në themel kishte grabitejn e pronës publike.

Musai: "Ligji Special në vetvete kishte transferimin ose dhënien e një prone publike një private. Kjo duke tejkaluar ligjshmërinë dhe duke shkelur të gjitha ligjet. Në themel kishte grabitjen e pronës publike. Ky akt i cili u tentua dhe nuk u realizua dot edhe për faktin që vitin e kaluar kemi një tërheqje të privatit, nuk u arrit marrëveshja mes palëve."

Musai u shpreh se pas vendimit të GJK, radhën e ka Prokuroria dhe SPAK.

Musai: "Jam optimiste, ndoshta sepse ky vendim ishte optimist. Na duhet shpresë, pasi ne kemi vuajtur për shumë vite nga kjo ndërgjegjje e humbur e sistemit tonë të drejtësisë. Duke qenë se i kemi shpallur luftë në njëfarë kuptimi qeverisë e presim nga qeveria që ajo të jetë e drejtë dhe unë besoj në një vendim të drejtë. Tani e ka fjalën Prokuroria, e ka fjalën SPAK-u."

Intervistoi Sebastian Zonja, përgatiti për online Xhuliana Zhuleku