Klosi për parcelat e plazheve: 25 prilli bllokoi lejet, do të rihapen aplikimet për zonat problematike
4 viktimat e Velipojës, përplasjet në Drimadhes dhe Sarandë për shezlonget, ministri Klosi i justifikon me periudhën zgjedhore. I vënë në shënjestër të kritikave nga kryebashkiakja e Shkodrës si fajtor për atë që ndodhi në Velipojë, Klosi e kalon përgjegjësinë te ligji i zgjedhjeve.
Ashtu siç bëri edhe ministri i Brendshëm, Çuçi që fajësoi gjykatës e prokurorë. Ministri i Mjedisit e lidh situatën kaotike në plazhe me kufizimet e krijuara nga zbatimi i ri i Kodit Zgjedhor.
"Procesi zgjedhor nuk na lejonte që të hapnim procesin e aplikimit të parcelave dhe ajo u hap pas 25 prillit. Kemi të realizuar këtë proces në shkallë të madhe, kemi një situatë jo të keqe në bashkinë e Durrësit, por megjithatë ka nevojë që të jemi në terren për të përcaktuar problematikat përfundimtare," tha Klosi.
Për të gjitha zonat problematike në bregdet do të ketë një afat dy ditor për t'u ribërë aplikimet.
Brenda 3 apo katër ditësh do të bëhet i mundur evidentimi i shqetësimeve të pronarëve dhe më pas me angazhimin e të gjitha strukturave do tu jepet zgjidhje ka thënë ministri Klosi nga Durrësi.
"Ne do duhet që ta mbyllim këtë punë në 3-4 ditë për sa i përket problematikave që kemi të evidentuara për parcelat e aplikuara, të kemi një aplikim të ri në 2 ditët që do vijnë dhe të kemi një nxitje tashmë nga vetë strukturat tona, qoftë qendrore qoftë lokale," tha Klosi.
Bashkia e Durrësit do të marr në menaxhim të gjitha parcelat publike në këtë qark, gjithsej janë 160 të tilla do të kenë mundësi të përdoren nga qytetarët pa pagesë.
