Vendimi i GJK për Teatrin, Kalaja: Do kallëzojmë në SPAK Ramën dhe Veliaj

Kalimi i Teatrit Kombëtar në pronësi të bashkisë dhe më tej edhe ligji special për t'ia dhënë sheshin një kompanie që do të ndërtonte kulla në sheshin pranë tij duke bërë dhuratë Teatrin e Ri është konsideruar i paligjshëm nga Gjykata Kushtetuese, ditën e sotme 2 korrik.

Në një lidhje të drejtpërdrejte për RTV Ora, avokatja Adriana Kalaja është shprehur se ky vendim është një fitore e madhe duke marrë parasysh faktin që jemi në një moment kur gjyqësori ka problemet e veta.

Kalaja: "GJK përveç vendimit për të shpallur antikushtetues Ligjin Special në fakt ka dhënë dhe një vendim që është në favor të kërkesave të Presidentit dhe të Aleancës. Është vendimi për të shpallur antikushtetues transferimin e pronës nga ministria e kulturës tek bashkia e Tiranës. Ne e shikojmë si një fitore të madhe duke qenë se jemi në një moment kur gjyqësori ka problemet e veta, probleme të cilat kanë nisur me reformën në drejtësi. Jemi në një moment që GJK ka filluar me një kourum pjesor në marrjen e vendimeve, jemi në një moment kur të gjithë jemi koshientë për ndërhyrjet e institucioneve shtetërore në vendimet e Gjykatave."

Kalaja shprehet se "vendimi i GJK pavarësisht se nuk ka dhënë të drejtë për shkak të kourumit në raport me vendimin e këshillit bashkiak për shembjen e Teatrit është një vendim shumë pozitiv në favor të betejës sonë ligjore pranë SPAK. "

Kalaja: "Vendimin e zbardhur ne do ta marrim në një moment të dytë, aty ku do shikojmë edhe se si është argumentuar çdo pikë e këtij vendimi. Pikën e vendimit të këshillit bashkiak e kemi humbur për shkak të kourumit sepse rezultati ka dalë 4 me 3. Në këtë kuadër vendimi i GJK pavarësisht se nuk ka dhënë të drejtë për shkak të kourumit në raport me vendimin e këshillit bashkiak për shembjen e Teatrit është një vendim shumë pozitiv në favor të betejës sonë ligjore pranë SPAK. Shumica e anëtarëve na kanë dhënë të drejtë për shpalljen antikushtetues të këtij vendimi, nga ana tjetër ne vetëm me këtë pjesë të vendimit do shkojmë në Strasburg. "

Më tej, Kalaja tha se po përgatisin dokumentacionin ligjor të cilin do ta dorëzojnë në SPAK. Të kallëzuar do të jenë kryeministri Rama, Erion Veliaj dhe ministrja e financave e cila propozoi fondin shtesë për ndërtimin e godinës së Teatrit të Ri.

Kalaja: "Ne po përgatisim të gjithë dokumentacionin e duhur ligjor dhe ditën e hënë do të shkojmë në SPAK dhe objekte të kallëzimit tonë në SPAK është leja e ndërtimit e dalë në kundërshtim të akteve ligjore në shpërdorim detyre dhe të korrupsionit pasiv dhe aktiv  nga ana e kryeministrit Rama me kërkesë të Erion Veliaj dhe do çojmë në SPAK aktin normativ që ka miratuar buxhetin shtesë për fillimin e punimeve të Teatrit të Ri. Të kallëzuar do jenë nga ne Edi Rama, Erion Veliaj dhe ministrja e financave e cila ka propozuar fondin shtesë për ndërtimin e Teatrit të Ri."

Intervistoi Beti Njuma, përgatiti për online Xhuliana Zhuleku