Situata e turizmit, Kërtusha: Plazhet janë shfrytëzuar gjithmonë në baza klanore

Pedagogu Ardit Kërtusha, i ftuar në studion e Ora News foli lidhur ne situatën e krijuar në plazhe dhe deklaratën e ministrit Klosi i cili tha se "procesi zgjedhor nuk na lejonte që të hapnim procesin e aplikimit të parcelave dhe ajo u hap pas 25 prillit."

Sipas Kërtushës plazhet janë shfrytëzuar gjithmonë në baza klanore, ato i janë dhënë njerëzve të cilët i dhanë votën qeverisë më 25 prill.

Kërtusha: "E gjithë kjo situatë shikojmë që justifikimi është kthyer në një institucion. Zoti Klosi thotë fajin e ka data e zgjedhjeve. Ky institucion që ka krijuar qeveria Rama, është ai që nuk ka vullnetin e duhur për të zgjidhur ngërçin. Plazhet nëpër qytete janë shfrytëzuar gjithmonë në baza klanore, i janë dhënë njerëzve të cilët më 25 prill i dhanë votën.

Prandaj presin rezultatin e zgjedhjeve për të shpërblyer këta njerëz."

Sipas Kërtushës qeveria funksionon me aksione dhe nuk ka as plane afatshkurta, as plane afatgjata.

Kërtusha: "Ngatërresat janë të shumta, por akoma nuk janë bërë mediatike. Mediatike ato bëhen në momentin e fundit kur plas bomba. Është një qeveri e cila ecën  në bazë të aksioneve, pra na kujton kohën e komunizmit. Një qeveri e cila nuk ka plane as afatshkurta as afatgjata, por ka një kryeministër i cili zgjohet në mëngjes dhe thotë do bëjmë këtë aksion. Unë prisja sot nga ministri që të jepte llogari pse kjo situatë. Sot kemi një polici bashkiake që nuk po kryen funksionin e saj. Të gjtiha institucionet janë në dekadencë e sipër. Policia e shtetit merret me të gjitha."

Për Kërtushën zoti Rama ka 9 vite në krye të qeverisë, por vetëm sot kujtohet që qytetarët nuk kanë hapësira për plazhe publike.

Kërtusha: "Kjo është vera e 9 që zoti Rama është në drejtim të kësaj qeveria dhe Rama kujtohet sot që qytetarët sot nuk kanë hapësira të plazheve publike."

Intervistoi Matilda Mcini, përgatiti për online Xhuliana Zhuleku