"Shpirti'/ Reagon për “Ora News” prokurori Maksim Sota: Kurrë s’kam favorizuar trafikantët
Vetëm pak orë nga operacioni italo-shqiptar i koduar “Shpirti”, ka reaguar për “Ora News”, prokurori i Vlorës, Maksim Sota,njëherësh ish-drejtues i prokurorisë së Vlorës, ndaj të cilit prokuroria e posaçme SPAK ka kërkuar në gjykatë caktimin e masës së sigurisë “arrest në shtëpi”.
Sota thotë se ndaj tij është ngritur dyshimi se ka “shpërdorim detyre” por jo trafik droge apo korrupsion.
“...unë nuk akuzohem për korrupsion dhe as për trafik droge pasi s’kam bashkëpunuar me askënd nga personat që sot ka arrestuar prokuroria SPAK. Nuk njoh asnjërin prej tyre. Sot jam në këtë gjëndje si i dyshuar për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”...”-është shprehur prokurori, Maksim Sota.
Ndër të tjera në reagimin për “Ora News” Sota mohon kategorikisht të jetë përfshirë në trafik droge.
“..Jo kurrën e kurrës, unë nuk jam i përfshirë me këta individë, për më tepër që jam prokurori që kam hetuar dhe vijoj të kem në dorë çështje të rëndësishme të trafikut dhe kultivimit të drogës në qarkun e Vlorës, ku të pandehur janë dhe efektivë të policisë...”-thotë prokurori për Ora News.
Njohja me Ilirjan Zaimin
Sota ndër të tjera shprehet se kolegët e tij në SPAK, Vladimir Mara dhe Dritan Prençi, e kanë thirur para disa kohësh, duke e marë në pyetje lidhur me njohjen ose jo të tij me shtetasin Ilirjan Zaimi alias Duçkollari dhe rrethanat e njohjes.
“...po unë këtë person e njoh se ka një lokal në Vlorë. Së bashku me shoqërinë time kam qënë disa herë në lokalin e tij, por kurrë s’kam pas të dhëna se ai merej me kultivim dhe trafik droge. Unë kurrë nuk kam pasur në hetim një çështje penale kundër tij dhe shoqërisë apo familjarëve të tij, që ta favorizoja këtë individ. Unë kurrë nuk kam pasur marrëveshje tregtare dhe qeraje me këtë person, përveç faktit që e njoh, siç mund të njoh shumë vlonjatë të tjerë...”-ka treguar Sota.
Ai sqaron se prokuroria e Posaçme SPAK ka cënuar në mënyrë të gabuar emrin e tij, duke e akuzuar për shpërdorim detyre.
“...Ku është shpërdorimi i detyrës time këtu. Në cilën çështje i kam favorizuar Ilirjan Zaimin apo qoftë dhe bashkëpuntorin e drejtësisë Mariglen Shusha, apo ndonjë person tjetër. Të më thonë vetëm çështjen që i kam favorizuar dhe ku i kam ndihmuar dhe jam i gatshëm të shkoj në burg dhe jo të qëndroj këtu në shtëpi...”-shprehet ish-drejtuesi i prokurorisë së Vlorës, Maksim Sota.
Sota,prej vitesh ka shërbyer në prokurorinë e Vlorës dhe ka qënë një nga kandidatët potencialë në KLP, për të hyrë në prokurorinë e posaçme SPAK.Ai ka shërbyer dhe në Prokurorinë e Përgjithshme dhe tashmë ushtronte detyrën e prokurorit të thjeshtë në prokurorinë e Vlorës. Sota, ka aktualisht disa procedime për kultivim të lëndëve narkotike ku të përfshirë dhe të pandehur janë marë efektivë të policisë së Vlorës dhe Himarës.

