EURO 2020, Zvicra për histori ndaj Spanjës. Italia në duelin e "zjarrit" ndaj Belgjikës

Është faza kulmore e Kampionatit Europian. Sot do të mësojmë dy skuadrat e para gjysmëfinaliste por për të arritur deri aty do të kemi emocione të mëdha për të përjetuar me dy sfida çerekfinale.

E para do të jetë në orën 18:00, në Gazprom Arena të Shën Petërsburgut ku Zvicra do të luajë një pjesë të historisë për të shkuar për herë të parë në një gjysmefinale të Europiani.

Xherdan Shaqiri do të udhëheqë helvetët në mungesë të Xhakës në duelin e fortë ndaj Spanjës e cila në dy takimet e fundit ka treguar brishtësi dhe se mund të pësojë gola. Gjithsesi, Spanja vjen si favorite absolute dhe shikohen edhe si pretendente për titullin e madh.

Në orën 21:00 në "Allianz Arena", do të luhet dueli i zjarrtë i dy ekipeve që shumë eksperte i konsideronin si kampionë në Euro 2020, Itali-Belgjikë. Një finale e parakohshme ku Lukaku me shokë do të kenë përballë të kaltërit e Mancinit te cilet kanë bërë shumë mirë deri tani.

Do të jetë një spektakel i garantuar dhe emocione të mëdha me duele brenda sfidës. Mancini i ka të gjithë në dispozicion dhe ka luksin të zgjedhë 11-en titullare ndërsa Martinez në anën tjetër ka dilema dhe ende nuk ka siguri nëse De Bruyne me Hazard mund të luajnë.

Gjithsesi, emocione të mëdha do të ketë mbrëmja e sotme ne dy sfida që do t'i shijojmë deri në fund.