Thiago Silva në gjurmët e Maldinit: Dua të luaj ende disa vite të tjera
Brazili po bëhet gati për ndeshjen çerekfinale të Copa America ndaj Kilit më 3 Korrik dhe një nga titullarët e Seleçaos është edhe Thiago Silva i cili synon trofeun e madh latin pas atij që mori me Chelsean në Champions League.
Mbrojtësi 36-vjeçar nuk ndalet dhe ka synime të qarta për të ardhmen duke bërë një krahasim me një legjendë si Paolo Maldini të cilin ai dëshiron ta ndjekë.
“Shpresoj të jem në gjendje të bëj të njëjtën gjë si Paolo Maldini në Milano duke luajtur deri në moshën 40 ose 41 vjeç. Ky është plani dhe objektivi im, jam përgatitur për diçka të tillë. Jam 36 vjeç, vazhdoj të luaj në një nivel të lartë dhe jam shumë krenar për këtë. Tani më duhet të jetoj në maksimum çdo sezon ndërsa duhet të bëj kujdes dhe të marr masa paraprake. Fiziku im nuk është i njëjtë dhe rikuperimi nga një dëmtim është më i gjatë”.
Thiago Silva u largua një vit më parë nga PSG dhe në sezonin që u mbyll në radhët e Chelseat, tregoi se braziliani mbetet një nga më të mirët në rolin e tij edhe pse ai është 36 vjeç dhe të pakët janë lojtarët që mund të mbajnë një nivel kaq të lartë në moshën e tij.
