Vllaznia bën goditjen e madhe, firmos me Liridon Latifin për dy sezone
Që Vllaznia po ngrihet dhe po i bën gjërat ashtu siç duhet për të arritur majën, nuk ka dyshime sidomos pas një goditje të tillë në merkato si Liridon Latifi.
Klubi shkodran zyrtarizoi goditjen e madhe në merkato duke rikthyer në Kategorinë Superiore një nga lojtarët më të mirë, kur kujtojmë që Skënderbeu e shiti për 900 mijë Euro 4 vite më parë te Akademia Puskas.
Tashmë Latifi do të rikthehet aty ku dha më të mirên në Superiore dhe me fanellën e Vllaznisë me të cilët firmosi për dy sezone.
"ZYRTARE: LIRIDON LATIFI FIRMOS PËR VLLAZNINË
KF Vllaznia bën të ditur se pasditen e sotme ka arritur marrëveshjen me futbollistin Liridon Latifi. Me këtë futbollist është firmosur një kontratë dyvjeçare dhe shpresojmë që ai të tregojë vlerat e tij më të mira ashtu siç ka bërë edhe në skuadrat e tjera me të cilat ka luajtur më përpara.
Mirë se erdhe te Vllaznia Liridon!"
Me një përforcim të tillë dhe sigurisht me dy-tre afrime të tjera, Vllaznia mund të themi që rikthehet fuqishëm si një pretendente kryesore për titullin teksa ka ruajtur pothuajse 80% të grupit të sezonit të kaluar dhe i ka shtuar lojtarë me vlera siç eshtë edhe Latifi.
Për 27-vjeçarin nga Prishtina ishte interesuar edhe Tirana më parë por oferta e Vllaznisë ishte më e mire dhe sigurisht që Xhaferri ka ditur të tregohet më bindës për projektin e Vllaznisë.
