Me 17 kg heroinë drejt Malit të Zi, shoferi i kamionit në gjykatë: S'di gjë për drogën, jam i punësuar

Gjykata e Durrësit ka mbajtur në burg 55-vjeçarin Sulo Pajo, drejtuesin e kamionit ku u kapën 17 kilogramë heroinë në tentativë për tu trafikuar drejt Malit të Zi. Para policisë dhe togave të zeza, shoferi nga Vlora mohoi përfshirjen në trafik, duke deklaruar se ai është i punësuar dhe nuk mban përgjegjësi për ngarkesat.

Shoferi i kamionit ku u kapën 17 kilogramë heroinë në tentativë për tu trafikuar drejt Malit të Zi mbrëmjen e 26 qershorit mbetet në qeli.

Gjykata e Durrësit caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” për Sulo Pajon, banor i Vlorës.

Mjeti që ai drejtonte u ndalua fillimisht në doganën e Hanit të Hotit, në dalje drejt Malit të Zi, ku sipas pretendimeve do të ngarkohej me mallra.

Por një modifikim ngjalli dyshime për trafik droge.

Drejtuesit e doganës vendosën që ta dërgonin në Durrës, ku mjeti kaloi në skaner i cili zbuloi drogën.

Sasia prej 17 kg heroinë ishte e ndarë në 34 pako të mbështjella me natriban të fshehura në një serbator bosh.

55-vjeçari Pajo në dëshminë e parë në polici mohoi përfshirjen në tentativën e trafikut të drogës.

Ai deklaroi se ishte i punësuar dhe nuk mban përgjegjesi për ngarkesën, por detyra e tij është vetëm të dërgojë mjetin në destinacion.

Këtë qëndrim, 55-vjeçari nga Vlora mësohet se mbajti edhe para togave të zeza, por që nuk e shpëtoi nga burgu për tentativën e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Ndërkohë burimet thonë se prokurorët do të analizojnë telefonin e shoferit 55-vjeçar në kuadër të hetimit për të zbuluar porositësit e lëndës narkotike dhe pritësit në Mal të Zi.

Kjo ishte tentative e dytë e trafikut të lëndëve të forta narkotike nga Shqipëria në harkun e një jave.

Më 18 qershor, në portin e Durrësit u kap 324 kilogramë kokainë, në një kamion që tentoi të kalonte trazit drejt Italisë.

Për rastin, mbetet në qeli shoferi nga Maqedonia e Veriut, Nazif Ajrofsi.