U sekuestrohet pasuria, Reeker në Tiranë, mesazh Ramës e Bashës për vendimin e Biden
Ndihmës Sekretari Amerikan për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Philip Reeker ka nisur vizitat në Shqipëri.
Rreth orës 10 ai ka mbërritur në kryeministri ku dhe është pritur nga shefi i qeverisë Edi Rama.
Në mesditë Reeker i shoqëruar edhe nga ambasadorja Yuri Kim mbërriti në selinë e PD për një takim me kryetarin e selisë blu Lulzim Basha.
Takimet vijnë vetëm 2 muaj pas zgjedhjeve parlamentare për të cilat opozita është shprehur se ishin masakër elektorale pasi u blenë votat si dhe u ushtrua presion ndaj zgjedhësve.
Pjesë e takimit me Reeker ishin dhe disa prej anëtarëve të verifikuar plotësisht të sistemit të drejtësisë në Shqipëri, si dhe udhëheqës të tjerë.
Në deklaratën për mediet të ambasadës së SHBA në tiranë bëhet e ditur se përgjatë takimeve Reeker theksoi rëndësinë e marrëdhënieve SHBA-Shqipëri gjatë 30 viteve të fundit.
Gjatë diskutimeve është risjellë në vëmendje dhe vendimi për sekuestrimin e pasurive në SHBA të personave të shpallur "non grata."
Në deklaratë thuhet se Reeker nënvizoi vendosmërinë e Presidentit Biden dhe Sekretarit të Shtetit Blinken se lufta kundër korrupsionit, përfshirë përmes përcaktimeve publike për korrupsion madhor sipas Nenit 7031(c) të Departamentit të Shtetit për Operacionet e Jashtme, dhe Programet Përkatëse të Nenit mbi Përvetësimet 2021, është një interes thelbësor i sigurisë kombëtare për Shtetet e Bashkuara.
Ai përgëzoi udhëheqësit e Shqipërisë për suksesin e tyre në mikpritjen e Stërvitjes Defender Europe 21, e cila theksoi rolin strategjik të Shqipërisë në rajon.
Ai mirëpriti rolin e Shqipërisë në rajon dhe në arenën globale, ndërsa Shqipëria merr vendin në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Gjithashtu Ndihmës Sekretari në Detyrë përsëriti mbështetjen e fortë të Shteteve të Bashkuara për reformat në sistemin e drejtësisë dhe në luftën kundër krimit të organizuar.

Pas Shqipërisë, më 1 korrik, ambasadori Reeker do të mbërrijë në Ohër, ku pritet të takohet edhe me kryeministrin Zaev, ministrin e Jashtëm Osmani dhe zyrtarë të tjerë të lartë për të diskutuar përparësitë e përbashkëta për Ballkanin Perëndimor.


