“Teatër” para teatrit, Leli u mbyll derën, socialistët kërkojnë hetimin e Kryebashkiakut për fondet e Ujësjellësit
Këshilltarët socialistë të Vlorës kanë paralajmëruar se do të nisin një hetim ndaj kryetarit të Bashkisë Dritan Leli. Duket se ky është hapi i parë për të kërkuar dhe largimin e tij nga detyra, pas tre dështimeve të mbledhjeve të Këshillit Bashkiak. Këtë herë në pamundësi të hapjes së dyerve të "Petro Markos", teatri u zhvillua në oborr por edhe online.
Dyert e teatrit "Petro Marko" ishin për herë të tretë të mbyllura për socialistët e Vlorës që kishin planifikuar mbledhje të Këshillit Bashkiak.
Por në tentativën e tretë ata ishin përgatitur jo vetëm për mbledhje por edhe për shfaqje.
Pak minuta pasi kaloi ora 10:00 kur edhe ishte planifikuar mbledhja e Këshillit Bashkiak, në oborrin e teatrit "Petro Marko" mbërritën tavolina dhe karrige.
Këshilltarët zhvilluan mbledhjen në ambiente të jashtme në temperatura jo fort të favorshme.
Në oborr një tavolinë ku duhej të ulej kreu i Bashkisë Dritan Leli, qëndronte bosh.

Si kundërpërgjigje, Kryebashkiaku nga ana e tij u kujdes që të hapte një mbledhje paralele online dhe të priste këshilltarët që të hynin aty, ndërsa shpjegoi se pse nuk mund të ishte prezent në mbledhje fizikisht.
"Vlerësojmë se kjo mbledhje nuk mund të zhvillohet veçse online pasi janë në fuqi masat e parashikuara nga grupi i ekspertëve për parandalimin e Covid 19."
Leli tha gjithashtu se dita dhe ora e mbledhjes duhet të marrë miratimin e kryetarit të Bashkisë.
"Gjithashtu ju rikujtojmë se data për mbledhjet e këshillit të Bashkisë duhet të përcaktohen me dakordësinë paraprake të kryetarit të Bashkisë si dhe mundësinë e administratës për të qenë prezent në to sipas tematikës së kërkuar".
Tjetër mendim kishin socialistët, të cilët thanë se vendin dhe orën e vendos kryetarja e Këshillit.
"Ligji e ka mjaft të qartë se kush i thërret mbledhjet e Këshillit Bashkiak, mbledhjet i thërret kryetarja e Këshillit Bashkiak" tha Ervis Moçka.
Nga ana tjetër socialistët në oborrin e teatrit, miratuan dy vendime që kishin të bënin me ndihmën ekonomike dhe ndihmën për fëmijët në kopshte dhe çerdhe, duke i dërguar mesazh Dritan Lelit se puna e Këshillit nuk do të ndalet.
Pas mbledhjes socialistët kërcënuan Lelin me hetim për një fond shtesë për Ujësjellësin Nartë-Zvërnec.
"Lindën disa pyetje pasi këtu është kryer një investim nga të dhënat që janë, mbi 1 milion euro. Kur është kryer një investim nuk kuptohet se pse kërkohet një fond shtesë" deklaroi Moçka.
Në Vlorë përplasjet politike mes Dritan Lelit dhe këshilltarëve socialistë janë intensifikuar kohët e fundit, ndërsa për një muaj janë thirrur 5 mbledhje këshilli herë nga socialistët e herë nga Leli, por asnjëherë nuk janë bërë bashkë.

