I dënuar në Bullgari për trafik narkotikësh, arrestohet në Morinë 41-vjeçari nga Kosova
Një 41-vjeçar nga Kosova i dënuar në Bullgari për trafikim të narkotikëve është arrestuar në pikën kufitare të Morinës.
"Në hyrje të Pikës së Kalimit Kufitar Morinë, shërbimet e Policisë Kufitare, si rezultat i masave të shtuara dhe shkëmbimit të informacionit me Interpol Tiranën, kanë ndaluar shtetasin e shpallur në kërkim ndërkombëtar Imrush Junuzi, 41vjeç, banues në Gjilan, Kosovë" njoftoi policia.
Gjatë përpunimit dhe verifikimit të të dhënave në sistem, ky shtetas ka rezultuar person në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Kiystendil Bullgari e ka dënuar me 17 vite e 6 muaj burg, për veprën penale "Trafikimi i narkotikëve", parashikuar nga legjislacioni penal i Bullgarisë.
Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimit në DVP Kukës bënë arrestimin provizor të këtij shtetasi, me qëllim ekstradimin në shtetin e Bullgarisë, mbështetur në “Konventën Evropiane të Ekstradimit” të vitit 1957.

