Karburanti derdhet lumë në Zharrëz, banorët akuzojnë Bankers për situatën skandaloze
Në zonën e Zharrëzës në kanale në vend të ujit derdhet karburant. Banorët denoncojnë me emër kompaninë që ka sjellë situatën alarmante, por inspektorët prej vitesh nuk kanë mundur të shkojnë te burimi.
Tokat dhe kanalet e ujitjes në zonën e Zharrëzës në Fier janë të ndotura prej hidrokarbureve prej vitesh.
Por këtë qershor situata është edhe më alarmante se kurrë.
Pamjet në video tregojnë situatën alarmante që po shkaktojnë në ujërat që derdhen në lumin e Gjanicës që kalon mes për mes Fierit, Semanit e më pas në det. Por tregojnë dhe pafuqinë e institucioneve për të reaguar.
Të alarmuar banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente.
"Këtu flitet për ambjentin, flasin ministra dhe asgjë nuk është bërë.Është shumë problem, kështu ka qenë dhe kështu do të mbetet."
"Kam gruan sëmurë, ka alergji. Aromë e keqe në lagje. Uji nuk pihet fare, kemi bërë analizat dhe dilte shumë keq."
"Prej dy ditësh janë vënë re shkarkime masive me tonelata hidrokarbure, është bruto. Është shumë e rrezikshme, tani është dhe sezoni i beharit paraqet edhe rrezik për zjarrvënie, ka mundësi të marrrë flakë".
Ata thonë se për këtë situatë është premtuar disa herë zgjidhje, por reagimi ka qenë vetëm heshtja edhe pse banorët kanë folur me emër.
"Me qindra herë na janë zotuar do mbajmë përgjegjësi por asgjë."
"200 metra poshtë Bankersit marrim ujë për të pirë ne."
E njëjta situatë paraqitet edhe në qytetin e Fierit, në Gjanicë ku lumi është tërësisht i ndotur.
Disa herë ka nisur hetimi për të gjetur burimin e shkarkimit të karburanteve.
Çuditërisht edhe pse gjurmët të çojnë te burimi, vetëm inspektorët nuk kanë arritur ta gjejnë.

