Shoferit i marrin me forcë furgonin me banane në Thumanë, policia e gjen mjetin në Kurbin

Një furgon mallrash që transportonte banane është grabitur në Fushë Krujë nga tre persona të paidentifikuar në orët e para të mëngjesit të sotëm

Tre grabitësit e furgonin e kanë kërcënuar me mjete të forta drejtuesin e mjetit, F.B, 62 vjeç.

"Më datë 30.06.2021, rreth orës 03:45, është paraqitur në ambientet e Policisë shtetasi F. B., 62 vjeç, banues në Tiranë, i cili deklaron se në Thumanë, tre persona ende të paidentifikuar duke e kërcënuar me sende të forta i kanë marrë furgonin e mallrave që transportonte banane".

Shërbimet e Policisë menjëherë pas marrjes së informacionit kanë organizuar punën ku gjatë krehjes së zonës  kanë bërë të mundur gjetjen e mjetit në Kurbin.

Në ambientet e Policisë janë shoqëruar disa persona të cilët mund të kenë dijeni për ngjarjen si dhe janë sekuestruar pamjet filmike për zbardhjen e plotë të ngjarjes.