Itali: 2 shqiptarë në pranga, akuzohen për riciklim të parave të trafikut të drogës

Policia financiare italiane e qytetit të Varese ka vënë në pranga dy shtetas shqiptarë të akuzuar për riciklim parash të pista të përfituara nga trafiku ilegal i lëndëve narkotike e trafik droge. Një person i tretë është vënë nën hetim në gjëndje të lirë.

Hetimet e Prokurorisë së Busto Arsizio kanë çuar në sekuestrimin e rreth 50 kg drogë e tipit marijuanë e kokainë, që për llogari të dy shqiptarëve të arrestuar shpërndahej në tregjet e shitjes në provincën e Varese.

Hetimet kanë identifikuar dhe kanalet ku investoheshin paratë e fituara nga trafiku i drogës.

Nën sekuestrim janë vënë dy kompani në zotërim të dy shqiptarëve me aktivitet në transportin e mallrave e materialeve llogjistike e që menaxhonte një degë shoqërish që blenin automjete ndërmarjesh që përdoreshin dhe për trafikun e drogës.

Paratë e trafikut të drogës investoheshin në këtë tip biznesi duke recikluar fitimet e pista përmes një skeme kamufluese të hyrje daljes së parave.

Këto operacione financiare kryheshin me ndihmën e administratores së  kompanive e cila është vënë nën hetim të lirë nga Gjykata e Busto Arsizios.

Përfundimi i hetimeve ka çuar në sekuestrimin paraprak të dy kompanive si dhe në sekuestrimin e një shume parash prej 100 mijë euro që dyshohet se janë të ardhura nga trafiku i drogës.