Eksploziv godinës në ndërtim në Shëngjin, 7 muaj më pas arrestohet i dyti

Një 21-vjeçar është vënë në pranga si bashkëautor i vendosjes së një sasie eksplozivi një objekti në ndërtim në Shëngjin, ngjarje e ndodhur më 19 nëntor të 2020. Në pranga është vënë Angli Stafuka, ndërsa më herët ishte arrestuar Erald Pajtani. Dyshimet janë se sulmet ndaj objektit në ndërtim kanë si shkak konfliktet për pronësinë e truallit.

Një 21-vjeçar është vënë në prangat e policisë, si bashkëpunëtor i vendosjes së një sasie eksplozivi në një objket në ndërtim në zonën e Ranës së Hedhur në Shëngjin, ngjarje e ndodhur me 19 nëntor të vitit 2020.

Angli Stafuka, banues në Fushë-Krujë, u ndalua me urdhër të prokurorisë, për veprat penale "Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, “Prishja e qetësisë publike”, “Mbajtja pa leje e municioneve luftarake” dhe “Kanosja”.

Angli Stafuka e Erald Pajtani, eksploziv kompleksit në nëntor 2020

Ky shtetas dyshohet se në bashkëpunim me Erald Pajtanin (i ndaluar gjatë operacionit "Eksplozivi", në dhjetor 2020), të ketë vendosur në një nga kolonat e një objekti në ndërtim, në pronësi të biznesmenit Liman Gjoka një sasi lënde plasëse, ku nga shpërthimi i së cilës u shkaktuan dëme materiale.

Hetmet në lidhje me këtë ngjarje po drejtohen nga Prokurori Françesk Ganaj dhe sipas burimeve Angli Stafuka, ka qenë në rolin e ndihmësit për vendosjen e lëndës shpërthyese.

Përfshirja e tij në këtë ngjarje është zbuluar në bazë të qelizave telefonike. Gjatë marrjes në pyetje 21-vjeçari ka mohuar të ketë lidhje me ngjarjen.

Të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe Erald Pajtani, i cili është arrestuar disa muaj më parë, por pavarësisht pretendimeve të tyre organi i akuzes ka arritur të grumbullojë prova që i përfshin dy të rinjtë në këtë ngjarje.

Sulmet ndaj kompleksit për shkak të konflikteve për truallin

Objekti në ndërtim i biznesmenit Liman Gjoka u sulmua dy herë me lëndë plasëse, konkrektisht në muajit nëntor dhe dhjetor të vitit 2020, ndërsa për shpërthimin e dytë ende nuk është arritur të zbulohen autorët, pavarësisht se ka dyshime se mund të jenë të njëjtit persona.

Nga hetimet e deritanishme dyshohet se shkak për këto ngjarje të jenë bërë konfliktet e pronësisë në lidhje me truallin ku po ndërtohet objekti disa katesh, në breg të detit pranë në Zonën e Ranës së Hedhur në Shëngjin.